Lajme

Tahiri i kërkon qeverisë ta lejojë tërheqjen e Trustit: Është domosdoshmëri për të gjithë

Shefi i Grupit të AAK-së, Besnik Tahiri
Shefi i Grupit të AAK-së, Besnik Tahiri

Besnik Tahiri, kryetari i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se partia e tij kërkon nga mazhoranca që të reflektojnë dhe ta mbështesin iniciativën e tërheqjes së Trustit.

Tahiri përmes një konferencë për media ka thënë se kjo duhet të bëhet për shkak të rrethanave në të cilat është sot Kosova dhe se është gjë elementare që qeveria duhet ta bëjë.

“Dhe po ashtu ta trajtojë  mundësinë që për një kategori që kanë më pak të hyra në Trust ta bëjnë kompensimin e tyre. Pra, Trusti nuk është dëshirë, nuk është vullnet i mirë por është domosdoshmëri për të gjithë ata që janë duke paguar dhe kanë nevojë elementare”, është shprehur Tahiri.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës

Tahiri ndër të tjera ka folur edhe për pagën minimale, ku ka theksuar se vota e tyre kundër dje rreth Ligjit të Pagave ishte për shkak se ata duan që në mes të dy leximeve të ngritët paga minimale dhe disa kategori, siç është ajo e veteranëve të luftës, të vendoset në bazë të pagës minimale.

“Në Ligjin e Punës, paga minimale ka një kriter të kalkulimit. Pra, nuk është dëshirë a vullnet i një kryeministri por bazohet mbi katër kritere dhe kriteri i parë është kostoja e shpenzimeve jetësore. Pra, kjo nuk përkon me pagën minimale 250 euro”, ka theksuar ai.

Shefi i Grupit Parlamentar i AAK-së, ka thënë se përcaktimi i pagës minimale për sektorin privat është bërë 250 euro, ndërsa përcaktimi i pensionit, apo ndihmës që jep shteti në rastin e veteranëve, vendosin që t’i largojnë nga kjo skemë, kjo është diskriminim./Shqip.com