Lajme Ballkan

Tadiq: Dështimi katastrofik i Vuçiqit në OKB për anëtarësimin e Kosovës

Ish-presidenti i Serbisë, Boris Tadiq

Ish-presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, e ka vlerësuar si dështim “katastrofik”  fjalimin e presidentit Aleksandar Vuçiq në Kombet e Bashkuara (OKB) se nuk ka theksuar qartë se anëtarësimi i Kosovës në OKB është i papranueshëm për Serbinë.

“Kjo ishte veçanërisht e rëndësishme tani që tema e të ashtuquajturit modeli dy Gjermani, si zgjidhje për Kosovën, po ngrihet sërish në bashkësinë ndërkombëtare. Sa herë që përmendet ai model, duhet pasur parasysh se në atë kohë të dyja Gjermanitë ishin anëtare të OKB-së”, tha Tadiq, në një tekst autori për të përjavshmen NIN.

Sipas tij, “është e vështirë të besohet se ky është një gabim amator, për fat të keq, një gabim i tillë duket më shumë si një derë e hapur qëllimisht për shumë njerëz në botë sot”.

Siç raporton N1, Tadiq tha gjithashtu se qytetarët e Serbisë “në zhurmën e gënjeshtrave të përditshme” nuk mund të dëgjojnë se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) “asnjëherë nuk ka marrë një vendim se shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, por ka përdorur një lojë”.

Siç tha ai, gjykata “pohoi me magji se shpallja e pavarësisë nuk përbën shkelje të së drejtës ndërkombëtare thjesht sepse ajo u miratua nga ata që nuk ishin faktor në të drejtën ndërkombëtare”./SHQIP.com