Lajme

Szunyog vizitoi një spital dhe një shkollë në Veri, diskutohen sfidat pas vendimit për dinarin

Shefi i Zyrës së BE-së në Prishtinë, Tomas Szunyog, ka vizituar sot Mitrovicën e Veriut, ku ka takuar përfaqësues të Qendrës Klinike Spitalore atje dhe të shkollës “Sveti Sava”.

Szunyog ka folur me ta, për sfidat me të cilat po përballen serbët atje pas Rregullores së re të BQK-së për operacionet me para të gatshme.

“Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog, ka vizituar sot Mitrovicën Veriore dhe është takuar me përfaqësues të Qendrës Spitalore Klinike dhe shkollës Sveti Sava. Ata diskutuan për sfidat operacionale me të cilat përballen pas Rregullores së Bankës Qendrore për Operacionet me Para të gatshme, një vendim i pakoordinuar, i cili nuk iu komunikua paraprakisht popullatës së prekur. Ambasadori Szunyog tha se ky vendim së bashku me çështje të tjera të kahershme kanë prekur seriozisht popullatën serbe të Kosovës dhe komunitetet tjera në mbarë Kosovën dhe pengojnë ofrimin e shërbimeve bazë. “Çështje të tilla duhet të adresohen urgjentisht në formatin e Dialogut në interes të popullit,” tha ambasadori Szunyog”, thuhet në njoftimin e Zyrës së BË-së.

Ai gjithashtu ka vizituar edhe nënstacionin e Vallaqit dhe selinë e Elektroseverit, prej ku iu ka bërë thirrje njerëzve atje që t’i regjistrojnë llogaritë e tyre dhe të paguajnë faturat.

“U bëj thirrje njerëzve që të regjistrojnë llogaritë e tyre dhe të fillojnë të paguajnë faturat e tyre”, theksoi ambasadori Szunyog.

/Shqip.com