Lajme

Szunyog: Rinia është aseti më i madh i Kosovës

Thomas Szunyog, shefi i Zyrës së BE-së në Prishtinë
Thomas Szunyog, shefi i Zyrës së BE-së në Prishtinë

Zyra e Bashkimit Evropian, në kuadër të aktiviteteve në shënimin e Ditës së Evropës, ka organizuar Panairin e shkathtësive në sheshin “Skënderbeu”, në Prishtinë.

Në këtë panair janë shpalosur projekte dhe programe të BE-së, si dhe janë promovuar disa shkolla të mesme profesionale.

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian, ambasadori Tomas Szunyog, ka treguar se i njëjti panair po mbahet edhe në Mitrovicën Veriore, ndërsa do të mbahet gjatë së enjtes edhe në Gjakovë dhe Prizren.

Szunyog ka cilësuar rininë e Kosovës si një ndër asetet më të mëdha, me ç’rast tha se duke i zhvilluar aftësitë ata, zhvillohet ekonomia e vendit.

“Panairi i sotëm që po mbahet në Prishtinë, është duke u mbajtur edhe në Mitrovicën e Veriut, ndërsa nesër do të mbahet edhe në Prizren dhe Gjakovë.

Qëllimi i panairit është promovimi i shkathtësive të buta. Kosova ka një potencial të madh. Jo vetëm që është një vend i ri, por është një vend me popullatë të re. Andaj, rinia e saj me zhvillimin e këtyre shkathtësive mund ta zhvillojë vendin ekonomikisht”, tha Szunyog.

/Shqip.com