Szunyog nga zyra e BE-së në Kosovë e quan zhgënjyese mos-votimin e projekt Kodit të ri Civil

Mos-votimin e projekt Kodit të ri Civil, shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian, Tomas Szunyog, e ka cilësuar si zhgënjyese.
Sipas Szunyog, ai është legjislacion i rëndësishëm i cili nuk duhet të presë.
“Pas hapave premtuese të seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës me miratimin në lexim të parë të projektligjeve për financimin e partive politike dhe deklarimin e pasurisë, mosbërja e njëjtë me Kodin Civil është zhgënjyese. Legjislacioni i rëndësishëm nuk duhet të presë”, ka shkruar Szunyog në rrjetin social “Twitter”.
Pika që deputetët kishin mospajtime gjatë seancës të së mërkurës ishte neni i cili do të mundësonte hartimin e një ligji të posaçëm, përmes të cilit do të lejohej regjistrimi i “bashkësive civile” ndërmjet personave me gjini të njëjtë.
Ishin 29 deputetë të Kuvendit të Kosovës që votuan kundër, ndërsa 28 të tjerë ishin pro, kurse vetëm katër abstenuan.
Në Projekt kodin Civil thuhet se “martesa është bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme, me anë të së cilës ata lirshëm vendosin që të jetojnë së bashku si burrë e grua”.
Por, në nenin e radhës thuhet se “bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta janë të lejuara” dhe se kushtet dhe procedura lidhur me këtë rregullohen me ligj të veçantë.
Në Kushtetutën e Kosovës thuhet “se në bazë të pëlqimit të lirë, çdokush gëzon të drejtën të martohet dhe të drejtën që të krijojë familje në pajtim me ligjin”./Shqip.com