Lajme

Szunyog me Abdixhikun, flasin për nevojën që opozita ta mbështesë marrëveshjen e Ohrit

Shefi i Zyrës së Bashkimit në Kosovë, Tomas Szunyog është takuar me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun.

Përmes një njoftimi në Twitter, Szunyog ka thënë se në këtë takim ka diskutuar me Abdixhikun për nevojën e mbështetjes së tyre për zbatimin e marrëveshjes së fundit me Serbinë.

“Duke u lidhur me partitë opozitare, sot në mëngjes u takova me udhëheqësin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun për të diskutuar për nevojën për mbështetjen e tyre për zbatimin e menjëhershëm të marrëveshjes e cila është rrugë për normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë”, shkroi Szunyog.

Szunyog tha se në takim u diskutua edhe për rëndësinë e përparimit të Kosovës në rrugën evropiane.

“Ne diskutuam gjithashtu korrelacionin midis përparimit të Kosovës në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian dhe përparimit legjislativ në disa fusha përparësore, të cilat do të vlerësohen në të ardhmen përmes raportit të Komisionit Evropian për Kosovën të vitit 2023 që mbulon periudhën një-vjeçare deri në qershor 2023”.

Po ashtu, u përmend edhe sigurimi i funksionimit efektiv të Kuvendit të Kosovës.

“Sigurimi i funksionimit efektiv të Kuvendit është përgjegjësi si e partive në pushtet, ashtu edhe të opozitës”.

Pas takimit të palës kosovare dhe asaj serbe në Ohër të Maqedonisë së Veriut, Abdixhiku ka thënë se kjo është mashtrim dhe humbje e një mundësie historike për Kosovën.

Mashtrim dhe humbje e një mundësie historike – ky është epilogu i Kurtit si kryeministër në dialog. Një kauzë politike e rremë – që Kosovës i kushtoi tmerrësisht shumë – përfundoi sonte. Kushtet e vëna, fjalimet e thëna, qëndrimet e dhëna, thjeshtë u zhbënë.

Përveç saj, një marrëveshje pa njohje, jo finale dhe me asociacion plus në të është çfarë Kurti i solli Kosovës sot. Kjo gjendje e re, e shndërruar si detyrim integrues për vendin tonë, është e pariparueshme më“, ka shkruar ai në Facebook.

Kujtojmë se Bashkimi Evropian ka bërë publik planin e për zbatimin e marrëveshjes së arritur.

Në shtojcën e publikuar thuhet se Kosova dhe Serbia angazhohen plotësisht të respektojnë të gjitha Nenet e Marrëveshjes dhe këtë Aneks, dhe të zbatojnë të gjitha detyrimet e tyre përkatëse që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi, në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim.

“Palët kanë parasysh se Marrëveshja dhe Aneksi i Zbatimit, do të bëhen pjesë integrale e proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE. Pas miratimit të Marrëveshjes dhe kësaj Shtojce, Lehtësuesi i BE-së do të fillojë procesin për të ndryshuar Kapitullin 35 për Serbinë për të pasqyruar detyrimet e reja të Serbisë që rrjedhin nga Marrëveshja dhe kjo Aneks. Agjenda e Grupit Special të Kosovës për Normalizim do të pasqyrojë në mënyrë të barabartë obligimet e reja të Kosovës që rrjedhin nga Marrëveshja dhe ky Aneks”, thuhet në dokumentin e publikuar.

Palët bien dakord që në mënyrë urgjente të miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur, siç është negociuar në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

“Për të zbatuar nenin 7, Kosova fillon menjëherë negociatat në kuadër të Dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për vendosjen e aranzhimeve dhe garancive specifike për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse të Dialogut siç përcaktohet nga Lehtësuesi i BE-së”.

Palët bien dakord të krijojnë një Komitet të Përbashkët Monitorues, të kryesuar nga BE-ja, brenda 30 ditëve. Zbatimi i të gjitha dispozitave do të sigurohet dhe mbikëqyret nga Komiteti i Përbashkët i Monitorimit.

Për të zbatuar nenin 9, BE-ja do të organizojë një konferencë donatorësh brenda 150 ditëve për të krijuar një paketë investimi dhe ndihme financiare për Kosovën dhe Serbinë. 

Asnjë disbursim nuk do të ndodhë përpara se BE-ja të përcaktojë se të gjitha dispozitat e Marrëveshjes janë zbatuar plotësisht.

Kosova dhe Serbia pajtohen që të gjitha nenet do të zbatohen në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri.

Rendi i paragrafëve të kësaj shtojce nuk cenon rendin e zbatimit të tyre.

Kosova dhe Serbia pajtohen të mos bllokojnë zbatimin e asnjë prej neneve.

Të gjitha diskutimet në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes do të zhvillohen në kuadër të Dialogut të ndërmjetësuar nga BE.

Kosova dhe Serbia pranojnë se çdo mosrespektim i detyrimeve të tyre nga Marrëveshja, Aneksi ose Marrëveshjet e Dialogut të kaluar, mund të kenë pasoja të drejtpërdrejta negative për proceset e tyre përkatëse të anëtarësimit në BE dhe ndihmën financiare që marrin nga BE-ja.

/Shqip.com