Lajme

Szunyog: BE-ja po luan një rol vendimtar në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Tomas Szunyog

Bashkimi Evropian nuk është vetëm një bashkim politik dhe ekonomik. Bashkimi Evropian është një projekt për ndërtimin e paqes, i krijuar pas Luftës së Dytë Botërore, me qëllim të promovimit të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në Evropë, është shprehur ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog teksa mori pjesë në aktivitetet festive të Ditës së Evropës.

Sipas Szunyogut, BE-ja po luan një rol vendimtar në Ballkan në promovimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

“BE-ja luan një rol vendimtar në Ballkanin Perëndimor në promovimin e dialogut dhe pajtimit, veçanërisht ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Është shumë e rëndësishme që negociatat për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve të vazhdojnë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe që ato të sjellin zgjidhje afatgjata për të mirën e popullatës në terren, dhe njëkohësisht duke ndërtuar ura ndërmjet komuniteteve”, ka thënë ai.

Edhe pse sfidues, viti i kaluar solli disa përparime, duke përfshirë udhëtimin pa viza për qytetarët e Kosovës në Zonën Shengen që nga 1 janari 2024.

“Çështja e pazgjidhur e liberalizimit të vizave ka qenë si një re e zezë mbi marrëdhëniet BE-Kosovë gjatë dekadës së fundit dhe jam shumë i gëzuar të them se që nga 1 janari 2024, kosovarët nuk do të kenë më nevojë për viza për vizita turistike afatshkurtra në Zonën Shengen”, theksoi Szunyog, duke falënderuar Presidencën çeke dhe suedeze të Këshillit të Bashkimit Evropian për kontributin e tyre në këtë drejtim.

Një tjetër arritje janë tri marrëveshjet financiare IPA të nënshkruara ndërmjet BE-së dhe Kosovës, duke përfshirë Pakon e Mbështetjes Energjetike, që rezultoi në sigurimin e më shumë se 200 milionë euro nga BE-ja për Kosovën si ndihmë e drejtpërdrejtë financiare, vetëm gjatë disa muajve të fundit.

“Si ndihma jonë financiare ashtu edhe mbështetja me ekspertë janë të orientuara drejt avancimit të Kosovës në rrugën e saj të integrimit në BE. Shpresoj që deri në Ditën e Evropës të vitit të ardhshëm të kemi një zhvillim edhe më pozitiv për të festuar”, ka përfunduar Szunyog.

/Shqip.com