Sport Shqiptar

Sylvinho me flamurin kuq e zi në krah: E kam nder që jam trajneri i Shqipërisë

Trajneri i Kombëtares, Sylvinho ka folur pas kualifikimit të Shqipërisë në Euro 2024.

Braziliani tha se e ka nder që është trajner i Shqipërisë, teksa për Gjimshitin tha se është një shembull.

Meritë e djemve dhe të gjithë njerëzve që na kanë mbështetur, është nder të jem trajneri i kombëtares së Shqipërisë dhe të ndjej pasionin e njerëzve. Gjithçka është shumë e bukur. Nuk është vetëm Sylvinho, është Zabaleta, Doriva, Bulku i gjithë stafi.

Më shumë se taktika është pasioni dhe dashuria për futbollin, ka pasion në punën tonë. Rezultati nuk vjen shpejt, ne kemi bërë një punë të mirë dhe kemi marrë rezultat, është një kombinim i mirë. Moldavia po luante për gjithçka, nuk kishin çfarë të humbnin. Luanin me topa të gjatë dhe ishte e vështirë, ata nuk kanë humbur në shtëpi. Kanë humbur vetëm një ndeshje në kualifikuese, kundër nesh në Shqipëri.

Lexo edhe:
Shqipëria rishkruan historinë, kualifikohet në Euro 2024

Kombëtarja është e hapur për lojtarë të rinj, kemi një skuadër të konsoliduar, por kjo është puna e një kombëtareje, jemi gati të presim lojtarë që janë në formë. Gjimshiti? Ky djalosh e meriton shumë këtë moment,është shembull për të gjithë ne. Isha i bindur që ishte një grup i vështirë dhe të gjitha skuadrat mund të merrnin pikë. Mendoj se momenti vendimtar ishte pas ndeshjes me Poloninë dhe nuk e meritonim humbjen, aty ndryshoi sjellja e lojtarëve. Ishte moment kyç. A do të fitojmë Europianin? Ndeshja e radhës është kundër Ishujve Faroe“, u shpreh Sylvinho për Supersport.

Kombëtarja shqiptare arriti të kualifikohet në Euro 2024 pas pikës së artë që mori në Moldavi në barazimin 1:1.

Shqipëria ka tashmë 14 pikë dhe renditet e para në Grupin E.

Ndeshja e të hënës përballë Ishujve Faroe në “Air Albania” vlen për vendin e parë ku rivali direkt duket se do të jetë Çekia.

/Shqip.com