Lajme

Svelça flet për pretendimet e Vuçiqit: Po, ishin të armatosur, kanë hyrë prej Serbisë

Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme
Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se në veri të Kosovës më 31 korrik janë shfaqur serbë, të rinj e të vjetër, siç thotë ‘’për ta mbrojtur Kosovën nga agresorët’’.

Siç raportojnë mediat serbë ai tha se serbët ishin me uniforma , por të paarmatosur .

”Për herë të parë u shfaqen fytyra, të rinj dhe të vjetër, me uniforma të ndryshme që kërkojnë të mbrojnë veriun e Kosovës nga agresorët. Kur ata të rinj të kombësisë serbe u shfaqën pa armë, i gjithë populli, të gjitha gratë në zonat urbane, zbritën për t’i përshëndetur dhe për t’u thënë ‘Mirë se erdhe liri’ ”, raporton b92.

E për këtë, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka thënë se janë duke u zhvilluar hetime intensive për grupet e armatosura dhe të uniformuara në veri të vendit, por se nuk mund të përgjigjet në pyetje konkrete për mosdëmtim të procesit.

Ai tha se për këtë gjë kanë edhe dëshmi.

“Ne kemi dëshmi të prezencës së grupeve të armatosura me maska e unifroma, në mes të natës së 31 korrikut dhe 1 gushtit. Siç e thatë edhe vetë, është hera e parë që Vuçiq e konfirmon atë që ne e kemi thënë që një kohë”.

Sveçla tha se një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga bashkësia ndërkombëtare.

“Kjo prezencë është e infiltruar në masë të madhe nga territori i Serbisë. Edhe bashkësia ndërkombëtare e ka konfirmuar këtë prezencë që është e infiltruar nga territori i Serbisë dhe i shfrytëzojnë pjesëtarët e xhandarmërisë [që jetojnë] në Kosovë apo edhe grupe kriminale që veprojnë në atë zonë”.