Lajme

Sveçla: Vulini është vetëm njëra nga lidhjet e Beogradit me Moskën

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha ka reagaur pas sanksionimit të Shefit të shërbimeve sekrete të Serbisë, Aleksandar Vulin, nga SHBA.

Sveçla, tha se Vulin, bartësi i pozitave kyçe në shtetin serb akuzohet për avancimin e korrupsionit brenda institucioneve serbe, trafikimin e armëve e krimin e organizuar transatlantik e më e rëndësishmja “përdorimi i pozitave publike për të mbështetur Rusinë, për të lehtësuar aktivitetin malinj të Rusisë që degradon sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe i ofron Rusisë një platformë për të përhapur më tej ndikimin e saj në rajon”.

Tutje, ai tha se Vulini është vetëm njëra nga lidhjet e Beogradit me Moskën, “vetëm njëri nga ndërmjetësit që bëjnë bashkë Vuçiqin e Putinin”.

“Kohët e fundit Vulini kishte marrë pjesë dhe në “konferencën e sigurisë” të organizuar në Moskë. Kjo është thjesht prova dhe dëshmia e radhës se Serbia, për sa kohë udhëhiqet nga një politikë e pa-demillosheviqizuar, shërben si vegël e Rusisë për destabilizim të Ballkanit”, ka shkruar ai në Facebook.

“Klika e përfaqësuar nga Vuçiqi e Vulini e aleatët e tyre janë sputnikë të Kremlinit edhe pse vazhdimisht luajnë lojën e “të paangazhuarve”. Me rëndësi është dhe të kujtojmë që Vulini, i sanksionuar sot nga SHBA-të, njihet dhe si një nga promotorët kryesorë të idesë të “Botës Serbe”, frymëzuar nga ideja e “Botës Ruse”, ka vazhduar Sveçla.

/Shqip.com