Lajme

Sveçla viziton Bërnjakun në ditën kur serbët organizojnë protestë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se ka vizituar pikën kufitare në Bërnjak.

Kjo vizitë e Sveçlës në Bërnjak vjen në ditën kur në veri të vendit po mbahet protesta e organizuar nga ana e serbëve.

“Sot isha për vizitë në pikën kufitare në Bërnjak, në stacionin policor të kufirit në Bërnjak dhe në stacionin policor të policisë kufitare në Jasenovik. Gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës me përkushtim janë duke përmbushur detyrat e tyre zyrtare duke siguruar ambient të qetë dhe shërbime për të gjithë qytetarët, si në pikat kufitare ashtu edhe brenda gjithë territorit të Republikës së Kosovës” ka shkruar Sveçla.

Pas largimit nga institucionet e Kosovës gjatë ditës së djeshme, dhe dorëheqjes së Goran Rakiçit nga pozita e ministrit në Qeverinë e Kosovës, sot gjatë ditës edhe Kryetarët dhe këshilltarët e katër komunave veriore kanë dhënë dorëheqje.

Dorëheqje këtë mëngjes kanë dorëzuar edhe kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit.

Po ashtu se gjatë ditës së djeshme, policët serbë në Veri kanë dorëzuar detyrën, duke zhveshur uniformat e Policisë së Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ftuar qytetarët serbë ta ruajnë qetësine e sigurinë.

Sipas tij Lista Serbe është vegël e presidentit Vuçiq, që e kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës.

Rakiq tha se këto vendime do të jenë në fuqi derisa Qeveria e Kosovës  të tërheqë vendimin për tabelat dhe të formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe.

Në anën tjetër, Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje të dyja palëve të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm, i cili mund të çojë në tensione të mëtejshme

/Shqip.com