Lajme

Sveçla : Sulmi në veri në “Elektrokosmet” është kryer nga strukturat paralele

Xhelal Sveçla, Ministër i Punëve të Brendshme

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla e ka komentuar sulmin ndaj “Elektrokosmet” në veri të vendit.

Në një prononcim për media, Sveçla është shprehur se ky sulm është kryer nga ana e strukturave paralele që gjenden në pjesën veriore të vendit.

“Ka pasur një shpërthim ku nuk ka pasur lëndime në njerëz, por vetëm dëme materiale. Nuk ka të lënduar. Qëllimi është që të terrorizohet banorë atje por edhe të ngjallin pasiguri. Ne jemi të bindur se organet tona të hetuesisë do të dalin më informata edhe më të detajuara por edhe me rezultate nga ato hetime” ka thënë Sveçla.

Sveçla tha se vendi ynë nuk bie pre e presioneve të strukturave paralele dhe se hetimi për këtë ngjarje do të shkojë deri në fund.

“Ende nuk kemi informata të detajuara mbi rastin. Jemi duke hetuar. Kjo është në vazhdën e presioneve që strukturat paralele dhe Serbia i bëjnë Republikës së Kosovës. Ne nuk biem në këto presione. Jam i bindur dhe i sigurt që institucionet e sigurisë do ta hetojnë deri në detaje më të imëta dhe ata të cilët shkaktojnë pasiguri do të përgjigjen para drejtësisë… Po them prej strukturave paralele të Serbisë bazuar në përvojat që i kemi me ta”, u shpreh Sveçla.

Një mjet shpërthyes është hedhur të enjten mbrëma rreth orës 22:45 në objektin e elektro-distribucionit në veri të Mitrovicës.

Lajmin për Shqip.com e ka konfirmuar, Besim Hoti- Drejtor rajonal i Policisë së Kosovës për Mitrovicë.

“Diku rreth orës 22:45 ka pasur një zjarr në trafo,  më vonë është konstatuar që  mund të ketë qenë faktori njeri, duhet se është përdorur një mjet eksploziv” ka thënë Hoti.

Hoti ka shtuar se përveç dëmeve materiale nuk ka dëme në njerëz.

Ky sulm vjen vetëm dy pasi që Kosova dhe Serbia kanën nënshkruar marrëveshje për energjinë elektrike në veri të vendit./Shqip.com