Lajme

Sveçla: Serbia po i mbron kriminelët, e interesuar ta destabilizojë komunitetin serb

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se institucionet e Serbisë janë të interesuara ta destabilizojnë komunitetin serb në Kosovë.

Ai përmes një postimi në Facebook, tha se krerët e Serbisë po përpiqen t’i mbrojnë “kriminelët të cilët kryejnë akte edhe terroriste” në Kosovë, duke përmendur Milovan Bozovic.

“Milovan Bozovic është një i tillë. Figurë e njohur për institucionet e sigurisë, si kriminel, pjesëtar aktiv i strukturës ilegale “Mbrojtja Civile” dhe grupeve të tjera kriminale. I njëjti po konsiderohet si hero për strukturat e Serbisë që e kanë dirigjuar. Për shkathtësitë e treguara në veprime kriminale ai është edhe ndër bashkëpunëtorët e ngushtë të Milan Radoiçiq”, ka shkruar ai.

Tutje, ai tha se përveç djegies së veturave në veri, plagosjes së pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, dëmtimit të infrastrukturës kritike, kalimit ilegal të kufirit, rrahjeve të qytetarëve serbë, haraçit dhe zjarrvënies së bizneseve lokale, ai ka marrë pjesë edhe në sulmet ndaj shtëpive dhe pronave të pjesëtarëve serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës si dhe dyshohet për vrasjen e një pjesëtari të EULEX.

“Çdo qenie njerëzore, jo thjesht zyrtarë publik apo politik, do të ishte distancuar e do të dënonte këto veprimtari për të cilat akuzohet Bozovic. Por jo dhe krerët e institucioneve të Serbisë dhe ata të Listës Serbe. Madje, duket se arrestimi dhe dërgimi i tij para drejtësisë ka lëkundur themelet e Listës Serbe dhe zyrës së ashtuquajtur për Kosovë”, ka shkruar ndër të tjera Sveçla.

Sveçla, tha se thirrja për kryengritje dhe rezistencë është vepër e rëndë penale në Kosovë. “Ajo bëhet edhe e papranueshme kur vjen nga një subjekt parlamentar politik. Të tillët duhet të trajtohen dhe nga institucionet e pavarura e KQZ, për të verifikuar përshtatshmërinë e tyre në raport me rendin tonë kushtetues”.

Tutje, ai tha institucionet  e Kosovës nuk do të lejojnë në asnjë formë që siguria e qytetarëve në veri të cenohet, apo që ata të ndjehen të frikësuar ose të terrorizuar nga kushdo.

/Shqip.com