Lajme

Sveçla: Serbët e Kosovës po detyrohen të marrin pjesë në protesta

Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, tha se serbët e Kosovës, po detyrohen nga Lista Serbe për të marrë pjesë në protesta.

Sveçla, tha se ata në vazhdimësi nën trysni dhe kërcënime kryejnë veprime jashtë vullnetit të tyre.

“Pas kushtëzimeve për të marrë pjesë në protesta e organizime të drejtuara nga Lista Serbe, protestuesit sot po detyrohen të nënshkruajnë në lista pjesëmarrjen e tyre në protestë. Haptazi ky është një mjet për të ndërmarrë veprime të mëvonshme ndaj atyre që nuk kanë qenë prezent në protestë”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Tutje, ai tha se kjo mund të nënkuptojë “kërcënime dhe dhunë fizike ndaj tyre dhe familjarëve, largime nga puna si dhe dëmtim të pronave të atyre personave”.

Sveçla tha se “dënojmë ashpër veprimet e vazhdueshme të Listës Serbe dhe bandave kriminale të drejtuara nga ta, me porosi të Beogradit. Këto taktika duhet të ndalen që qytetarët serb të Kosovës të jetojnë pa presione e kërcënime”.

/Shqip.com