Lajme

Sveçla: Serbët e Kosovës kanë lirinë e plotë të lëvizjes, po përhapet panik nga deklaratat politike

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili mori vendimin për reciprocitet të targave me Serbinë, ka sqaruar se serbët e Kosovës kanë liri të plotë të lëvizjes dhe janë të sigurt e të mbrojtur nga Kushtetuta dhe ligjet e Republikës së Kosovës, njofton Shqip.com.

Kështu u deklarua ai pas reagimeve të ndryshme nga skena politike, që sipas Sveçlës, kanë për qëllim përhapjen e panikut dhe frikës.

Lexo edhe:
Serbët në veri vendosin tendë e flamur "Mirësevini në Asociacionin e Komunave Serbe"

Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Twitter, Sveçla apeloi te qytetarët që të mos bllokojnë rrugët dhe të mos vendosin pengesa.

“Serbët e Kosovës kanë liri të plotë të lëvizjes dhe janë të sigurt dhe të mbrojtur nga Kushtetuta dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Deklaratat politike në targat e përkohshme të makinave kanë për qëllim përhapjen e panikut dhe frikës. U bëj thirrje qytetarëve të mos bllokojnë rrugët dhe të mos vendosin pengesa”, ka shkruar ai.

Edhe gjatë pasdites të së hënës, në një konferencë për media, ministri i brendshëm bëri thirrje për qytetarët që të mos bllokojnë rrugët, “pasi lëvizja e lirë është e drejtë e të gjithëve”.

Sveçla në këtë adresim për media tha se situata e sigurisë në Kosovë është e qetë dhe se policia ka ndërmarrë gjitha masat që të mos pengohet lëvizja e lirë.

Autoritetet në Kosovë po vendosin në veturat me targa të qyteteve të Serbisë, regjistrime të përkohshme për qarkullim brenda në Kosovë. Veturave po u vendoset në xhamin para dhe prapa.

Të njëjtën masë e ka zbatuar tash e sa vite edhe Serbia për automjetet nga Kosova.

Në kundërshtim të kësaj mase kanë dalë disa banorë serbë të veriut të Kosovës. Ata po protestojnë duke mbajtur të bllokuara rrugët që çojnë në pikat kufitare me Serbinë, atë të Jarinjës dhe të Bërnjakut.

Madje, në afërsi të kufirit këta protestues kanë ngritur tenda për të kaluar natën, teksa kanë shpalosur një transparent të madh ku shkruhet “Mirë se vini në Asociacionin e Komunave Serbe”. /Shqip.com