Lajme

Sveçla flet sërish për barrikadat: Nëse KFOR-i s’mundet, do t’i heqim ne

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në konferencën e mbajtur para pak minutash, ka thënë se Qeveria e Kosovës është duke pritur KFOR-in që të veprojë për heqjen e barrikadave të vendosura në veri.

Ai ka thënë se nëse është e pamundshme që barrikadat të hiqen nga KFOR-i, atëherë duhet të jepët njoftimi.

“Ritheksojmë nevojë e heqjes së barrikadave. Kjo duhet të ndodh sa më parë ose të njoftohemi për pamundësinë e këtij veprimi”, tha Sveçla.

Ai ka thënë se Policia e Kosovës ka kapacitete të mjaftueshme për heqjen e tyre.

“Jemi në koordinim me partnerët ndërkombëtarë, dhe presim që së ma parë të veprojë nga KFOR-i. U bënë 13 ditë dhe situata vazhdon të jetë e njëjtë, apo të themi që është rënduar. Po presim që sa më shpejt barrikadat të largohen. Në qoftëse kjo nuk ndodh, sic thashë kemi kapacitete që këtë gjë ta bëjmë vet”, ka deklaruar Sveçla.

Tutje, Sveçla, ka njoftuar për një rast sulmi fizik ndaj një 14-vjeçari në lagjen Kroi i Vitakut në veri të Mitrovicës.

“Rreth orës 14:00 një banor i lagjes Kroi i Vitakut është sulmuar nga grupet kriminale derisa po shkonte në lagjen ku banon. Fëmija ka lëndime trupore dhe është dërguar për tretman mjekësor”.

Sveçla ka thënë se Policia e Kosovës është duke u angazhuar maksimalisht për zbardhjen e kësaj ngjarje kriminale.

Sipas tij raportimet për rënie të moralit në radhët e policëve të Kosovës që po shërbejnë në veri janë quajtur spekulime.

“Nuk mund të flitet për lodhje, dorëzim apo përkeqësim të gjendjes së tyre. Është spekuluar se gjendja e zyrtarëve policor është spekuluar si e rënduar deri te mos-pranimi i detyrave. Kjo është e pavërtetë, spekulim”, ka thënë ai.

Ministri Sveçla ka folur edhe për ish-policin e arrestuar, Pantiq, që po mbahet në paraburgim.

“Kërkesa për lirimin e Pantiqit është e papranueshme. Gjendja e tij shëndetësore është e mirë dhe ka trajtimin e duhur.

Ai do të duhej të ishte në qendrën përkatëse për mbajtje e jo në stacionin policor. Lidhur me këtë kemi dorëzuar kërkesë tek ndërkombëtarët për transferimin e tij në qendrën adekuatë për mbajtje të paraburgimit”, është shprehur Sveçla.

/Shqip.com