Lajme

Sveçla reagon pasi dështoi iniciativa për shkarkimin e kryetarëve sot në Veri

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar të dielën pasi dështoi iniciativa për shkarkimin e kryetarëve nga katër komunave veriore të Kosovës.

Sveçla ka thënë se Lista Serbe si në të kaluarën ashtu edhe tash udhëzuar nga Beogradi ka ushtruar forma të ndryshme që serbët të bojkotojnë procesin e sotëm.

Ai ka përgëzuar institucionet e sigurisë për përmbylljen e këtij procesi pa incidente.

“Përgëzoj institucionet tona të sigurisë falë përkushtimit të së cilave sot përmbyllëm këtë ditë të zgjedhjeve pa asnjë incident të vetëm në katër komunat veriore. Republika e Kosovës i dha mundësinë qytetarëve të katër komunave veriore që sot të vendosin për kryetarët e katër komunave të tyre. Në anën tjetër, Lista Serbe si në të kaluarën ashtu edhe tash, përmes formave të ndryshme të udhëzuar nga Beogradi bojkotoi e sabotoi procesin demokratik si mundësi për të çuar komunat në zgjedhje të reja. Ky subjekt i mishëruar me metoda jodemokratike nuk e gjen asesi veten te një proces kaq demokratik”, ka shkruar ai.

“Komisioni Qendror Zgjedhor në bashkëpunim me institucionet tjera edhe njëherë dëshmoi përkushtim në zbatimin e mandatit të tij dhe respektimin e plotë të të drejtës së qytetarëve për të vendosur për të ardhmen e tyre.  Ne do të vazhdojmë angazhimin tonë për qytetarët tanë pavarësisht dallimeve, institucionet tona do të jenë në shërbim të të gjithëve dhe për sigurinë e vendit tonë. Kosova është Republikë demokratike, e gjithë qytetarëve pa dallim”, ka shkruar Sveçla.

/Shqip.com