Sveçla përsëri: I bëj thirrje dorasit të krimit që të dorëzohet
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i ka bërë thirrje përsëri vrasësit të Gllogjanit që të dorëzohet.
“Si në konferencë për media, ashtu edhe këtu, i bëj thirrje dorasit të krimit që të dorëzohet”.
Të premten, një person sulmoi autobusin në Gllogjan të Deçanit. Vrau tre persona – dy nxënës dhe shoferin e autobusit.
“Nëse ka pasur bashkëpunëtorë, u bëj thirrje po ashtu të lajmërojnë e të dorëzohen në Polici. Në të kundërtën, kushdo që ndihmon vrasësin, bëhet bashkëkryes i veprës”.
“Qytetarëve që mund të kenë çfarëdo informate në shërbim të rastit, iu lutem të bashkëpunojnë me institucionet relevante, të cilat, nga mbrëmë, janë mobilizuar si asnjëherë më parë në zbardhjen sa më të shpejtë të rastit dhe kapjen e dorasit apo dorasve”.
Po ashtu, njësitet kompetente kanë deklaruar të shtunën se janë duke e kryer punën në zbardhjen e këtij rasti.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik – për këtë ka pasur edhe reagime nga krerët vendor dhe ata ndërkombëtarë. /Shqip.com