Lajme

Sveçla për aksionet kundër drogës: “Dje në Grashticë, sot në Prugoc, nesër ….”

Xhelal Sveçla, Ministër i Punëve të Brendshme

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar ndaj aksionit të së enjtes të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Themelore të Prishtinës në fshatin Prugoc të kryeqytetit, ku është identifikuar një laborator për prodhimin e substancave narkotike, njofton Shqip.com.

Pas këtij aksioni dhe një tjetër të ngjashëm që u zhvillua të mërkurën në fshatin Grashticë, Sveçla ka paralajmëruar edhe aksione të tjera kundër drogës.

“Dje në Grashticë, sot në Prugoc, nesër ….”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në Facebook, teksa ka publikuar disa fotografi të këtyre dy vendeve në të cilat kanë ndërhyrë organet e rendit.

Nën udhëheqjen e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Policia e Kosovës e ka realizuar një aksion ka kryer një bastisje në fshatin Prugoc të Prishtinës ku është identifikuar një laborator për prodhimin e substancave narkotike.

Aty janë konfiskuar 179 bimë narkotike të gjatësive të ndryshme të llojit kanabis dhe është identifikuar një i dyshuar që gjendet në arrati.

Një aksion i tillë është zhvilluar gjatë ditës së djeshme në fshatin Grashticë. /Shqip.com