Lajme

Sveçla pas suspendimit të Gjuriqit:Refuzimi i zbatimit të vendimit është cenim i rëndë i sigurisë

Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme
Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar për suspendimit të Drejtori Rajonal të Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut, Nenad Gjuriq, duke thënë se refuzimi i zbatimit të vendimit legjitim të institucioneve të Republikës së Kosovës, është mbi të gjitha cenim i rëndë i sigurisë dhe stabilitetit.

Ai ka thënë se Policia e Kosovës është një dhe të gjithë pjesëtarët duhet të kenë këtë mision.

“Në kuptim të këtyre veprimeve të përsëritshme, pas kërkesës së Inspektoratit Policor të Kosovës dhe inicimin e hetimeve penale, është suspenduar Drejtori Rajonal i Policisë në Mitrovicën e veriut, Nenad Gjuriq.

Policia e Kosovës është një dhe të gjithë pjesëtarët e saj duhet të kenë të njëjtin mision: sundimin e ligjit dhe krijimin e ambientit të sigurte për të gjithë qytetarët pa dallim. Nuk do të lejojmë asnjë veprim që cenon këtë mision dhe bashkë me Policinë e Kosovës do të vazhdojmë zbatimin e tij”, ka shkruar ai.

Me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës është marrë vendim që të suspendohet nga detyra drejtori rajonal i Mitrovicës së Veriut, Nenad Gjuriq.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi nga Policia e Kosovës.

“Me datë 03.11.2022, u.d. drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës me rekomandim të IPK-së ka suspenduar nga ushtrimi i detyrave të përgjithshme të punës dhe autorizimeve policore drejtorin rajonal të Mitrovicës Veri, për mosrealizim të autorizimeve ligjore dhe zbatim të vendimeve zyrtare.Suspendimi i tij është mbështetur në autorizimet ligjore, udhëzimin administrativ Nr.04/19 për shkeljet, masat dhe procedurat disiplinore në Policinë e Kosovës dhe rekomandimit të IPK-së”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Gjuriq dyshohet se ka kryer veprat penale “Sabotim” dhe “Thirrja për rezistencë” të parapara në Kodin Penal të Republikës së Kosovës.  Krahas hetimit penal do të shikohet edhe përgjegjësia administrative.

/Shqip.com