Lajme

Sveçla me thirrje për qytetarët në veri: Riktheni targat në RKS, procesi ofron shumë lehtësira

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla iu ka bërë thirrje qytetarëve serbë që rikthejnë targat ilegale në ato RKS.

Ai përmes një video-adresimi në Facebook ka thënë se me 31 tetor është mundësia e fundit që t’i regjistrojnë veturat.

“Të nderuar qytetarë, tashmë ka kaluar një muaj që kur ka filluar procesi për regjistrimine targave ilegale në targa legale të Kosovës, RKS. Në gjithë Republikën e Kosovës qytetarët veq se kanë filluar regjistrimin e tyre. Procesi dymujor i cili përfundon më 31 tetor, është një mundësi e fundit që të gjithë pronarët që posedojnë mjete me targa ilegale t’i kthejnë ato në targa RKS”, u shpreh ai.

Ai ka thënë se ky proces ofron shumë lehtësira.

“Ky proces ofron lehtësira të mëdha, duke filluar nga regjistrimi i mjeteve më të vjetra se 10 vite si dhe lirimi nga: Taksa doganore, taksa administrative në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve, tarifa për targën dhe tarifa për pajisjen me certifikatë të regjistrimit të mjeteve. Gjithashtu, nga tani e tutje ju mund të regjistroni mjetet me targat e regjionit tuaj në të gjitha qendrat për regjistrimin e automjeteve, pavarësisht vendbanimit apo vendqëndrimit tuaj në Republikën e Kosovës”, tha ai.

Ministri tutje tha se nga 31 tetori ato nuk mund të qarkullojnë në territorin e Kosovës.

“Të nderuar qytetarë, ne jemi të përkushtuar që ky proces të përmbyllet me sukses, deri në afatin e paraparë më 31 tetor 2022. Pranda, ju bëjmë thirrje që pa humbur kohë, të shfrytëzoni këtë mundësi. Pas kësaj date, veturat të cilat posedojnë targat ilegale nuk do të kenë mundësi të qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës si dhe në pikë kalimet kufitare. Liria e lëvizjes, barazia, por edhe sundimi i ligjit në tërë territorin, pa dallim mbetet prioriteti ynë, andaj ju ftojmë që deri më 31 tetor, të shfrytëzoni këto lehtësira dhe të bëni kthimin e targave ilegale në targa legale RKS”.