Lajme

Sveçla: Lojërat e Vuçiqit po vazhdojnë, duan ta mohojnë sulmin ndaj KFOR-it

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla

Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka thënë se lojërat e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq lidhur me situatën në veri të Kosovës janë duke vazhduar.

Përmes një postimi në Facebook, Sveçla ka thënë se sulmin ndaj KFOR-it në veri, Serbia po mundohet ta mohojë.

“Lojërat e Vuçiqit dhe instrumenteve të tij kriminale po vazhdojnë. Fillimisht  deklaruan se  në Zubin Potok ka pasur përleshje të armatosura të iniciuara nga Policia e Kosovës dhe Njësitë e saj Speciale. Mirëpo, kur e kuptuan se bandat kriminale të mbështetura  nga vet ai kanë sulmuar KFOR-in, duan t’i mohojnë të gjitha sulmet. Barrikadat duhet të hiqen menjëherë. Serbia duhet të ndalojë organizimin dhe mbështetjen e strukturave kriminale ilegale që duan të destabilizojnë Republikën e Kosovës”.

Sveçla tha se Policia e Kosovës do të vazhdojë ta luaj rolin e saj dhe ta përmbush misionin që ka.

“Policia e Kosovës do të vazhdojë të luaj rolin e saj dhe përmbushë misionin e vet. Bëj thirrje tek të gjithë qytetarët që të mos bijën pre e propagandës së Serbisë për të nxitur një konflikt të ri dhe të bashkëpunojnë me Policinë dhe organet e rendit”.

Kujtojmë se mbrëmjen e djeshme edhe vetë KFOR-i ka konfirmuar të shtënat me armë zjarri në afërsi të patrullës së tyre.

Por, nga këto të shtëna nuk atë lënduar dhe as dëme materiale.

Kujtojmë se veriu i vendit është  në tensione të vazhdueshme që nga data 6 dhjetor ndërsa, me arrestimin e ish-policit, Dejan Pantiq, serbët lokal vendosën barrikada atje.

Sipas raportimeve, tek barrikadat ka edhe njerëz të armatosur.

/Shqip.com