Sveçla: Ligji për Paga do të procedohet për miratim në Qeveri gjatë marsit

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, bëri të ditur se Ligji për Paga do të procedohet për miratim në Qeveri gjatë muajit mars, përcjell Shqip.com.
Në seancën e Kuvendit të Kosovës, ai deklaroi se procedimi i këtij Ligji po merr kohë për shkak që “të analizohet mirë dhe të shërbejë që Ligji të jetë i zbatueshëm”.
Sipas tij, me Ligjin që po planifikohet të miratohet, do bëhet një sistem i mirëfilltë e i zbatueshëm dhe funksional i pagave dhe shpërblimeve.
“Nga raportimi i fundit që kemi pasur në dhjetor, jo më shumë se një muaj, janë zhvilluar takime të shpeshta për finalizim. Janë diskutuar koeficientet për secilën pozitë – në bazë parimore, të drejtë e mosdiskriminuese.
Lista duhet të jetë parimore e të reflektojë barazi. Në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, janë eliminuar pjesët ku është vlerësuar se janë tejkaluar kompetencat e Qeverisë”, tha ai.
Tutje, ministri deklaroi se Ministria e tij dhe ajo e Financave janë duke punuar për caktimin e koeficientit për një barazi në sektorin publik.
Po ashtu, ai paralajmëroi se për këtë Ligj do të hapet debati publik në muajin shkurt./SHQIP.com