Lajme

Sveçla jep detaje në lidhje me arrestimin e ish-policit Dejan Pantiq

Sveçla, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Pantiqi dyshohet se ka organizuar sulm terrorist në zyrat e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve.

Sipas tij, grupe ekstremiste me qëllim të parandalimit të vendosjes së drejtësisë janë organizuar në bllokim të disa rrugëve dhe ngritje të barrikadave në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

“Policia e Kosovës sot ka ndaluar në Pikën Kufitare në Jarinje ish-zyrtarin policor, ish-pjesëtarin e MUP-it, i cili ishte integruar më parë në Policinë e Kosovës, Dejan Pantiq.

I ndaluari sipas dëshmive të Policisë së Kosovës ka organizuar sulmin terrorist në zyrat e KKZ-së në veri të vendit me ç’rast ishin sulmuar zyrtarët e KQZ-së dhe zyrtarët policorë. Pantiqi akuzohet për kryerjen e veprave terroriste dhe sulm kundër rendit kushtetues”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Tutje, ai i ka ftuar qytetarët të ruajnë qetësinë.

“Ftoj të gjithë qytetarët për ruajtje të qetësisë e në veçanti qytetarët tanë të etnisë serbe që të mos bëhen pjesë e organizimeve të grupeve kriminale në veri.

Asgjë nuk mund t’i ndalë institucionet e Republikës së Kosovës për ofrim të sigurisë për qytetarët pa dallim e për sjellje para drejtësisë të të gjithë shkelësve të ligjit”, ka theksuar ministri Sveçla.

/Shqip.com