Sveçla: Jemi në fazën e draftimit të ndryshimeve ligjore për armët
Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se janë në fazën e draftimit të ndryshimit të ligjit dhe kodit penal për armët, transmeton Shqip.com.
Numri i madh i armëve pa leje, që siç raportohet është rreth 250 mijë, po konsiderohet rrezik për sigurinë e popullatës, andaj nga qeveria thonë se me ndryshimin e ligjit dhe kodit penal për armër, masat ndëshkimore do të jenë më të larta.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, derisa ka folur për numrin e vrasjeve në vend, thotë se ka numër të madh të armëve pa leje në duart e qytetarëve të Kosovës. Ai thotë se janë në fazën e draftimit të ndryshimeve ligjore për armët dhe masave ndëshkimore.
“Tashmë kemi edhe iniciativat e para për të ndryshuar ligjin për armët dhe për të ndryshuar po ashtu edhe kodin penal me të cilin masat ndëshkimore ndaj atyre të cilët mbajnë armë pa leje të jenë më të larta dhe të mos përfundojnë vetëm në dënime mandatorë, por sikurse të gjitha shtetet në Evropë dhe të ato në rajon, ato masa të jenë më të ashpra në mënyrë që të dekurajojmë mbajtjen e armës nga qytetaret e Republikës të Kosovës”, thotë Sveçla për KP.
“Jemi në fazat e draftimit të ndryshimeve ligjore, unë shpresoj që do të jetë ndër veprimet e para të këtij fund-viti dhe normalisht pastaj mbetet në dorë të Parlamentit që të procedojë sa më shpejt që është e mundshme këto ndryshime ligjore”, shton ai.
Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj thotë se duhet të ketë ligje më rigoroze sa i përket pajisjes me armë me leje.
“Është fakt që ende ka shumë armë në duart e qytetarëve, të cilat janë të rrezikshme edhe për vet ata dhe të tjerët. Duhet të gjenden mënyra që këto armë të zvogëlohen sa më shumë”, thotë Qalaj.
“Çështja e armëve me leje konsideroj që është krejt në rregull, për shkak se institucionet gjithmonë e dinë se ku është arma dhe po ashtu kjo është e kontrolluar. Normalisht që gjithmonë sa më rigoroze duhet të jenë ligjet në mënyrë që personat të kenë sa më pak”, thekson më tej ai.
Dënimi për armëmbajtje pa leje përcaktohet sipas Kodit Penal të Kosovës, ku parashihet gjobë deri në 7500 euro. Veç tjerash, parashihet edhe dënimi me burg deri në pesë vjet për armëmbajtje pa leje. /Shqip.com