Lajme

Sveçla: Gjendja është e qetë, kemi koordinim me aleatët ndërkombëtarë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në konferencë për media

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, është deklaruar rreth vendimit të sotëm të për vënien e përkohshme të targave të Kosovës për të gjitha automjetet që mbajnë targa të Serbisë, gjithashtu edhe për aksionin e policisë në pikën kufitare Kosovë-Serbi, përkatësisht në Jarinje, njofton Shqip.com.

Në një konferencë për media të mbajtur gjatë pasdites të së hënës, Sveçla tha se ky vendim është marrë pas skadimit të marrëveshjes së 14 shtatorit të vititi 2016.

“Pas skandimit të marrëveshjes së 14 shtatorit të vitit 2016, ka nxjerrë vendimin që obligon të pajisen me targa të përkohshme për të gjitha automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe që hyjnë në territorin e Kosovës në të gjitha pikat e kalimit kufitar”, ka thënë ai.

“Nga data 15 shtator asnjë vetur e pajisur me targa ‘KS’ nuk ka të drejtë të lëvizë brenda Kosovës, derisa atyre që lëvizin në drejtim të Serbisë iu lejohet lëvizja me targa të këtij vendi”, ka thënë më tej Sveçla.

Ai tregoi edhe për gjendjen e sigurisë në Jarinje, ku u pozicionuan Njësitë speciale të Policisë së Kosovës për ta siguruar zbatimin e vendimit më të fundit të Qeverisë së Kosovës.

“Gjendja e sigurisë është e qetë dhe Policia e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme operative”, ka thënë Sveçla.

Derisa u pyet nëse i është kërkuar nga zyrtarët serbë që të mos marrë një vendim të tillë, Sveçla tha se “ky është vendim legjitim i institucioneve të Republikës së Kosovës”.

I pari i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës më tej njoftoi se aleatët ndërkombëtarë kanë qenë të njoftuar se një vendim i tillë do të merret dhe se janë koordinuar me ta.

“Në vazhdimësi përsa i takon situatës së sigurisë i angazhojmë të gjitha kapacitetet tona, duke u koordinuar me aleatët tanë. Ata kanë qenë të njoftuar. I bëj ftesë të gjithë qytetarëve të RKS-së që të mos bllokojnë rrugët. Qarkullimi është e drejtë e të gjithë qytetarëve”, ka thënë Sveçla.

Sa i përket dëmit që mund t’iu shkaktohet shqiptarëve nga Lugina, Sveçla tha se janë të gatshëm të kompenzojnë çfarëdo dëmi që i bëhet atyre nga marrja e këtij vendimi.

“Ky vendim ka të bëjë me qarkullimin me targa të Republikës së Serbisë, shumë shpejt do të kompenzojnë çfarëdo dëmi që i bëhet bashkëkombasve tanë nga Presheva, Bujanoci e Medvexha”, tha ai.

Ky vendim është nënshkruar sot nga Sveçla, ndërkaq një pjesë e veturave që po hyjnë nga Serbia në Kosovë nëpër pikat kufitare, veçse po iu vendosen tabelat e përkohshme. /Shqip.com