Lajme

Sveçla: Familja Jashari janë shtyllë e fuqishme e lirisë sonë

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës ka folur lidhur me shënimin e 25-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Sveçla ka thënë se familja e komandantit legjendar, Adem Jasharit është shtyllë e fuqishme e lirisë së Kosovës.

“Tre brezat e flijuar të familjes Jashari janë shtylla më e fuqishme e lirisë sonë. Familja Jashari trasoi rrugën nga e cila nuk mund dhe nuk duhet të devijojmë. Ata na mësuan të gjithë neve se liria është e domosdoshme e se dorëzimi nuk është asnjëherë alternativë.  Rezistenca dhe sakrifica e tyre për liri janë udhërrëfyesi më i qartë për ne në punën për Republikën”.

Sipas Sveçles, tek familja Jashari, zuri vend frymëzimi dhe vullneti i popullit për luftë.

“Gra, burra e fëmijë të Jasharajve në përballje të pabarabartë e nën rrethim nuk u dorëzuan për tre ditë me radhë. Serbia me mjetet e saj të rënda të luftës shkoi kundër synimit të vet. Madhështia e saj përmes armëve u sfidua nga madhështia e rezistencës së familjes Jashari. E këtu zuri vend frymëzimi e vullneti i mbarë popullit tonë për një luftë të re”.

Me Epopenë e UÇK-së, Sveçla thotë se nisi kthesa historike e luftës që Serbia nuk e kishte menduar.

/Shqip.com