Lajme

Suspendohet zyrtari policor pasi dyshohet që gjuajti me armë zjarri drejt një pylli në Ferizaj

Inspektorati Policor i Kosovës, ilustrim

Inspektorati Policor i Kosovës ka suspenduar një zyrtar policor në Ferizaj, pasi dyshohet se me një person tjetër kanë gjuajtur me armë zjarri drejt pyllit në Ferizaj.

Lajmin e ka konfirmuar për Shqip.com, kryeshefi ekzekutiv i IPK-së, Kushtrim Hodaj.

“Po, një zyrtar policor është i dyshuar për gjuajtje me armë dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm. I njëjti është suspenduar dhe po hetohet në procedurë të rregullt, sipas autorizimit të Prokurorisë”, thuhet në përgjigjen me shkrim.

Theksojmë se ky rast është bërë i ditur nga policia përmes raportit 24 orësh.

Lexo edhe:
Gjuajtje me armë zjarri në Jezerc të Ferizajt

Ngjarja kishte ndodhur të shtunën rreth orës 17:15.

“Fsh.Jezerc, Ferizaj 23.07.2022-17:15 Ankuesi mashkull kosovar, ka njoftuar se dy meshkuj të panjohur  kishin shtënë me armë zjarrit në drejtim të pyllit dhe më pas janë larguar me vetura. Lidhur me rastin janë shoqëruar dy të dyshuar meshkuj kosovarë”, thuhet në njoftim.

Ilustrim

Derisa pas intervistimit, me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt. Mbi 900 ankesa kanë dorëzuar qytetarët në Inspektoratin Policor të Kosovës.

IPK-ja gjatë këtij viti ka rekomanduar suspendimin e mbi 100 policëve, ndërkaq mbi 90 janë të arrestuar./Shqip.com