Lajme

Suspendohet polici që dyshohet se kreu vjedhje të rëndë në Mitrovicë

Inspektorati Policor i Kosovës

Inspektorati Policor i Kosovës njoftoi të enjten se ka arrestuar një zyrtar policor pasi dyshohet se ka kryer vjedhje të rëndë në Mitrovicë.

Sipas njoftimit, informacionet e para lidhur me këtë rast hetuesit e IPK-së i kanë pranuar ditë më herët nga Policia e Kosovës me dyshimin se zyrtari policor ishte i përfshirë në një rast të “vjedhjes së rëndë” në bashkëkryerje në një nga filialet për tranfsere parash në Mitrovicë më 26.11.2021.

I dyshuari i parë për këtë rast është arrestuar nga policia ditën që ka ndodhur rasti, kurse si rezultat i hetimeve të zhvilluara janë identifikuar edhe dy të dyshuar për këtë rast (duke përfshirë këtu zyrtarin policor).

“Hetuesit e IPK-së në koordinim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë kanë ndërmarrë disa veprime hetimore dhe pas  këtyre veprimeve hetimore, zyrtarit policor (të dyshuar në këtë rast) me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë me dyshimin se ka kryer veprën penale “Vjedhje e rëndë” nga neni 315 lidhur me nenin 31 (bashkëkryerje) i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, zyrtari policor është suspenduar./SHQIP.com