Suspendohet drejtori rajonal i PK-së Mitrovicës në Veri

Me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës është marrë vendim që të suspendohet nga detyra drejtori rajonal i Mitrovicës së Veriut, Nenad Gjuriq.
Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi nga Policia e Kosovës.
“Me datë 03.11.2022, u.d. drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës me rekomandim të IPK-së ka suspenduar nga ushtrimi i detyrave të përgjithshme të punës dhe autorizimeve policore drejtorin rajonal të Mitrovicës Veri, për mosrealizim të autorizimeve ligjore dhe zbatim të vendimeve zyrtare.Suspendimi i tij është mbështetur në autorizimet ligjore, udhëzimin administrativ Nr.04/19 për shkeljet, masat dhe procedurat disiplinore në Policinë e Kosovës dhe rekomandimit të IPK-së”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Gjuriq dyshohet se ka kryer veprat penale “Sabotim” dhe “Thirrja për rezistencë” të parapara në Kodin Penal të Republikës së Kosovës. Krahas hetimit penal do të shikohet edhe përgjegjësia administrative.
/Shqip.com