Lajme

IPK rekomandon suspendimin e Drejtorit të Policisë në Mitrovicën e Veriut

Foto nga IPK - Operacioni PIKA

Inspektorati Policor i Kosovës ka reaguar përmes një shkrese duke i rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e Drejtorit Rajonal të Policisë në Mitrovicën e Veriut, Nenad Gjuriq.  

Gjuriq dyshohet se ka kryer veprat penale “Sabotim” dhe “Thirrja për rezistencë” të parapara në Kodin Penal të Republikës së Kosovës.  Krahas hetimit penal do të shikohet edhe përgjegjësia administrative.

“Andaj, duke marrë për bazë dyshimin për veprat penale në hetimin e këtij rasti, bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së është rekomanduar suspendimi i të njëjtit”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga IPK.

Tutje në komunikatë theksohet se veprimet tjera hetimore duhet të ndërmerren nga  hetuesit e IPK-së  në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit.

Kujtojmë se Drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, dje tha se policët në veri të Kosovës nuk do të zbatojë vendimin e Qeverisë për shpërndarjen e fletave qortuese, për shoferët që kanë makina me targa të lëshuara nga Serbia.

“Ne nuk mund ta zbatojmë atë vendim sepse ai është politik dhe i drejtuar kryesisht kundër komunitetit serb, të cilit i përkasim edhe ne vetë”, tha Gjuriq dhe shtoi se “patrulla të njësive të trafikut nga Prishtina janë dërguar në veri, për të ushtruar presion”.

/Shqip.com