Lajme Botë

Surprizon lideri i Hamasit: Izraeli s’ka arritur asnjë nga objektivat, jemi gati për luftë të gjatë

“Nëse armiku dëshiron që beteja të jetë e gjatë, kapaciteti ynë është t’i përgjigjemi po aq gjatë”, kjo është deklarata surprizuese e Ismail Haniyeh, kreu i Byrosë Politike të Hamasit.

Në një mesazh publik, Haniyeh shton se ai ishtë i sigurt dhe beson në aftësinë e palestinezëve për t’i mbijetuar ofensivës izraelite në Gaza dhe për të dalë fitimtar.

“Pavarësisht sulmeve “barbare” izraelite, populli palestinez i prishi planet e Izraelit“, tha Haniyeh, raporton Al Jazeera online.

Ai ka deklaruar më tej se ushtria izraelite nuk ka shënuar asnjë prej objektivave të saj në Rripin e Gazës edhe pse tanimë luftimet mes Izraelit dhe Hamasit vijojnë prej 40 ditësh.

“Armiku nuk ka mundur të arrijë asnjë nga objektivat e tij ose të sigurojë kthimin e të burgosurve të tij, përveç çmimit të vendosur nga rezistenca“, tha ai.

Pavarësisht nga optimizmi i Ismail Haniyeh, treguesit në terren nuk janë në favor të militantëve që ai drejton nga Katari. Në Rripin e Gazës kanë humbur jetën deri sot mbi 11 mijë civilë dhe milintantë të Hamasit.

Numri i vdekjeve në radhët izraelite është 1200, nga të cilët mbi 300 janë ushtarë.

/Shqip.com