Lajme

Supremja mbështet vendimin e Kastratit për mbylljen e disa shkollave në Kamenicë

Gjykata Supreme.

Gjykata Supreme në Prishtinë, ka refuzuar kërkesën e Komunës së Kamenicës për rishqyrtimin e jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor nga Gjykata e Apelit lidhur me vendimin për mbylljen e disa shkollave në Kamenicë.

Kjo çështje si padi ishte ngritur në muajin maj nga Komuna e Kamenicës.

“Refuzohet si e pa bazuar kërkesa për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, e parashtruar nga e paditura, Komuna e Kamenicës, kundër aktvendimit të Giykatës së Apelit- Departamenti për Cështje Administrative në Prishtinë, AA. Nr. 322/2022, të datës 06.05.2022.”, shkruhet në vendimin e Gjykatës Supreme.

Lidhur me këtë vendim ka reaguar edhe ish-kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, i cili ka thënë se qytetarët e kësaj komune sfiduan një proces i cili ishte i domosdoshëm.

“Shantazhi, kërcënimet e gjithë presioni i ushtruar mbi qytetarët e Kamenicës sfidoi një proces i cili ishte i domosdoshëm dhe i drejtë. E prapëseprapë, vendimi i sotëm i Gjykatës Supreme e dëshmon që reforma në arsim duhet të vazhdojë. Ministrja e Arsimit mund ta ketë edhe mbështetjen e mbretit por askush në Kosovë nuk eshte mbi ligjin dhe parimet e demokracisë.”, ka shkruar Kastrati.

Kastrati, ka ftuar kryetarin aktual të Kamenicës Kadri Rahimaj, që ta zbatojë vendimin ose përndryshe do t’a ndjekë penalisht.

Gjykata Supreme

Në vitin 2019, gjatë kohës së udhëheqjes së Kamenicës ish-kryetari Qëndron Kastrati, kishte projektuar disa reforma në sektorin e arsimit, të cilat parashihnin mbylljen e shkollave të cilat kanë më pak se 20 nxënës në klasë. Kjo kishte ardhur pasi që shumica e klasëve ishin me nga një nxënës në disa nga fshatrat e Kamenicës.

Reforma nuk u prit mirë nga disa prej banorëve dhe mësimdhënëseve pavarësisht se Kastrati në atë kohë pat deklaruar komuna ishte duke paguar transportin e fëmijëve, të cilët kishin mbetur pa shkollë në fshatrat e tyre./Shqip.com