Ekonomi Biznes

Superpuna suspendon 20 biznese nga platforma

“Superpuna”, platformë e krijuar nga Qeveria për punësimin e të rinjve, ka njoftuar se 20 biznese janë suspenduar nga platforma, si rezultat i mos respektimit të Termeve dhe Kushteve të platformës, të cilat janë vërejtur gjatë monitorimit në terren të përfitueseve. 

“Përkatësisht, gjatë monitorimit në terren të këtyre bizneseve monitoruesit kanë vërejtur që punëtorët të cilët figurojnë si të punësuar në ato biznese, nuk kanë qenë prezent në vendin e punës. Me këtë rast, superpuna ka suspenduar profilet e këtyre bizneseve duke ua pamundësuar që të përfitojnë sërish nga subvencioni”, thuhet në njoftim nga Ministria e Financave.

Tutje, bëhet me dije se, Qeveria mbetet e përkushtuar në mbështetjen e sektorit dhe fuqizimin e të rinjve në tregun e punës, megjithatë shkeljet e tilla të Termeve dhe Kushteve do të pasohen me suspendim nga platforma.

“Monitorimi i bizneseve përfituese nga platforma superpuna është i rregullt dhe i vazhdueshëm. Andaj, udhëzojmë bizneset që t’u përmbahen detyrimeve të tyre, ashtu që në vazhdimësi të kenë mundësinë të përfitojnë nga politikat mbështetëse të Qeverisë”, thuhet në fund të njoftimit.

/Shqip.com