Sport Shqiptar

Superliga: Derbi për titull në Gjilan dhe derbi i Drenicës

SC Gjilani vs FC Ballkani

Të dielen zhvillohen edhe dy ndeshjet e fundit të xhiros së 27-të në BKT Superligë.

Me fillim nga ora 13:30 luhet kryesfida e cila mund të ndikojë direkt për titull kampion.

Gjilani e pret Ballkanin në Anamoravë, për të ngushtuar epërsinë e pikëve në vetëm dy në rast të triumfit.

Kurse, “Xhebrailat” synojnë ta rrisin distancën me pikë – diçka që do t’u mundësonte ta kenë njërën dorë në trofe.

Skuadra e udhëhequr nga Ismet Munishi ka bilanc më të mirë në ndeshje direkte këtë sezon, me një fitore dhe një barazim.

Megjithatë, “portokallinjtë” e Ilir Dajës janë në formën më të mirë aktualisht me shtatë fitore në tetë ndeshjet e fundit në Superligë.

Ndeshje tjetër interesante do të jetë “Derbi i Drenicës” që luhet në Skënderaj me fillim nga ora 14:00.

Drenica kërkon t’i ikë zonës së rrezikut dhe me fitore arrin pozitën e gjashtë në tabelë, duke lënë Malishevën pas dhe barazuar Prishtinën me pikë.

Trajneri Lushtaku do të përpiqet ta shfrytëzojë krizën e Feronikelit, për të mos rrezikuar rënien nga elita e futbollit – diçka që nuk e ka përjetuar asnjëherë në histori të klubit.

“Industrialistët” nga ana tjetër, po luajnë për krenari pasi që veçse e ka marrë biletën për në Ligën e Parë.

Ata gjenden në pozitën e fundit me 12 pikë të mbledhura pas 26 xhirosh, kurse Kuq e Zinjtë vendas kanë 32 sosh. /Shqip.com