Lajme

Sulmohet punonjësi i Aeroportit të Prishtinës (Pamje)

Sulm në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës

Një punonjës i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” është sulmuar fizikisht sot derisa ishte duke e kryer detyrën e tij në shërbim të udhëtarëve, njofton Shqip.com.

Në tollovinë e krijuar gjatë së premtes në hapësirat e aeroportit, ka ndodhur edhe sulmi ndaj puntorit të ANP-së, për të cilin është deklaruar zëdhënësja e aeroportit, Valentina Gara.

Ajo thotë se kompania e tyre do t’i ndjek të gjitha rrugët ligjore ndaj këtij sulmi dhe ndaj çdo rasti tjetër kundër punonjësve të tyre.

“Dënojmë aktin e ulët të sulmit fizik ndaj punonjësit të ANP ‘Adem Jashari’ gjatë kohës sa ishte në detyrë në shërbim të udhëtarëve. Puna dhe përkushtimi i po këtyre punonjësve është ajo që rendit aeroportin tonë ndër aeroportet më të mira të rajonit”.

“Kompania jonë do të ndjek të gjitha rrugët ligjore ndaj këtij sulmi dhe ndaj çdo rasti tjetër kundër punonjësve tanë, të cilët janë edhe aseti më i vlefshëm i kompanisë sonë”, ka shkruar Gara në Facebook.

Gazeta Shqip.com ka siguruar pamje nga vendi i ngjarjes pas incidentit që dyshohet të ketë ndodhur në Aeroportin e Prishtinës.

Gjatë ditës së sotme ka pasur një fluks të madh të udhëtarëve që po prisnin për fluturime nga ky vend. /Shqip.com