Lajme

Sulmohet punëtori i sigurimit i Spitalit të Gjakovës – Policia jep detaje

Një punëtor i sigurimit i Spitalit të Gjakovës është sulmuar fizikisht mëngjesin e së mërkurës në vendin e tij të punës.

Zëdhënësi i Policisë së Gjakovës, Nysret Xhurkaj, ka konfirmuar për Shqip.com se tre persona të panjohur e kanë sulmuar fizikisht punëtorin në fjalë, duke e goditur me grushte.

Po ashtu nga qafa ia kanë marrë një qafore ari në vlerë prej 1 mijë e 800 euro, si dhe ia kanë thyer telefonin iPhone 11.

Të njëjtit më pas, sipas Xhurkajt, ishin larguar në drejtim të panjohur.

“Viktima ka pranuar tretman mjekësor dhe kishte pësuar lëndime të lehta trupore. Për momentin te dyshuarit mbeten te pa identifikuar. Hetimet e rastit janë në vijimësi”, tha ai.

Lidhur me rastin ka reaguar Shërbimi Spitalor Klinik dhe Univeristar i Kosovës, i cili ka dënuar sulmin ndaj punëtorit.

Në reagimin e tyre thuhet se sulmet e tilla ndaj punëtorëve shëndetësorë në vendet e tyre të punës janë shqetësuese dhe të pa pranueshme./SHQIP.com