Lajme

Sulmi terrorist në zyrat e KKZ-së në Mitrovicë / Deklarohen të pafajshëm Pantiq dhe të akuzuarit e tjerë

Të akuzuarit Dejan Pantiq, Milun Milenkoviq, Aleksander Vlajiq dhe Miomir Vakiq janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzën për sulmin terrorist ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ) në Mitrovicën e Veriut.

Një deklarim të tillë, të njëjtit e dhanë të martën, në seancën fillestare pas leximit të aktakuzës nga prokurori special, Afrim Shefkiu, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Absolutisht nuk jam fajtor”, tha i akuzuari Pantiq.

Edhe të akuzuarit Milenkoviq, Vlajiq dhe Vakiq deklaruan se nuk e ndjejnë veten fajtor.

Meqenëse të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Valon Kurtaj, i ka njoftuar të njëjtit që brenda afatit ligjore prej 30 ditësh mund të paraqesin kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Ndryshe, seanca fillestare e caktuar më 12 janar 2024, ishte shtyrë me propozim të mbrojtjes pasi që të njëjtit nuk ishin pajisur me të gjitha shkresat e lëndës.

Në aktakuzë thuhet se Pantiq, Milenkoviq, Vlajiq dhe Vakiq më 6 dhjetor 2022, në ora 14:39, kishin kryer sulmin terrorist ndaj zyrave të KKZ-së, duke hedhur granata dore dhe shok bomba.

Më 13 dhjetor 2023 PSRK kishte njoftuar për ngritjen e aktakuzës për Pantiq dhe ty të tjerët.

Më 12 dhjetor 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë caktoi një muaj paraburgim ndaj ish-policit serb, Dejan Pantiq, ndërsa më 28 dhjetor 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë ia zëvendësoi masën e paraburgimit me arrest shtëpiak.

Pantiq ishte arrestuar më 10 dhjetor 2022 në pikëkalimin kufitar në Jarinjë, ndërsa arrestimi i tij kishte nxitur reagime nga pala serbe, e që u pasua me vendosjen e barrikadave në pika kufitare.

/Shqip.com