Lajme

Sulmi seksual ndaj alpinistes Nikçi, Prokuroria kërkon paraburgim për të dyshuarin

Sulmi ndaj alpinistes Mrika Nikçi

Prokuroria e Pejës ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit F.B, I cili dyshohet se sulmoi seksualisht alpinisten Mrika Nikqi.

Lajmin për Shqip.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, i cili tha se aktualisht është duke u mbajtur seanca ndaj të dyshuarit.

“Pasi është raportuar ky rast me datën 27 shtator, Prokuroria Themelore në Pejë, përkatësisht dy prokurorët e shtetit kanë qenë të angazhuar në këtë çështje penale në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës dhe njësitë relevante, ku fillimisht është bërë identifikimi i personave përmes kamerave të sigurisë publike dhe më pas është bërë arrestimi i tij dhe me urdhër të prokurorit është ndaluar për 48 orë. Tashmë në momentin që jemi duke folur është edhe duke u mbajtur seanca ndaj të dyshuarit me kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh”.

Ndryshe, alpinistja Mrika Nikçi është sulmuar seksualisht në qendër të qytetit të Pejës.

Ajo përmes një video të publikuar ka shfaqur momentin kur ajo sulmohet seksualisht nga një person.

“Me datë 27. 09.2022, në ora 20.50, në qendër të qytetit te Pejës isha viktimë e sulmit seksual, veprim vandal i cili është kryer  me paramendim nga personi F.B, anëtarë i  një familje të njohur në  qytetin e Pejës” ka shkruar Nikçi.

Nikçi është femra e parë shqiptare dhe femra më e re në botë që ka ngjitur të gjitha majat.

Më 15 gusht 2019, kur ishte shtatëmbëdhjetë vjeç, ajo u bë femra më e re në botë që ka ngjitur të gjitha Shtatë majat, së bashku me babai e saj Arianit Nikçi (alpinist shqiptar).

Ata e arritën këtë qëllim pas projektit të tyre Mrika Seven Summits./Shqip.com