Lajme Botë

Sulmi në Oslo cilësohet si sulm terrorist

Parada vjetore e Krenarisë në Oslo u anulua të shtunën pas një sulmi vdekjeprurës në një bar homoseksualësh që policia norvegjeze po e heton si një sulm të mundshëm terrorist.

Dy persona u vranë dhe tetë të tjerë u dërguan në spital pas të shtënave në afërsi të Londrës Pub, e cila e përshkruan veten në faqen e saj të internetit si “vendi më i madh i homoseksualëve dhe lezbikeve në Oslo”.Policia mori telefonata të shumta për të shtënat në orën 1:14 të mëngjesit me orën lokale dhe mbërriti në vendngjarje pak minuta më vonë. 

Ata e kapën të dyshuarin mashkull tre minuta pas mbërritjes, tha policia.

I dyshuari, i akuzuar për terrorizëm, është një shtetas norvegjez me origjinë nga Irani dhe ishte “i njohur për policinë”, por ka marrë vetëm “dënime të lehta” deri më tani, u tha gazetarëve në Oslo të shtunën prokurori Christian Hatlo.

Shërbimi i Inteligjencës së Brendshme të Norvegjisë tha se po punonte për të sqaruar nëse mund të planifikohen më shumë akte dhune pas të shtënave. Shërbimi i Sigurisë Policore Norvegjeze (PST) njoftoi në një postim në Twitter të shtunën se ishte “informuar për të shtënat në Oslo të shtunën”.

“Ne po japim tani të gjithë informacionin përkatës që kemi në qarkun e policisë së Oslos dhe po punojmë për të sqaruar nëse mund të planifikohen akte të tjera dhune. Aktualisht nuk kemi asnjë indikacion për këtë,” tha PST.

Ai tha se akuza për terrorizëm ishte e justifikuar në bazë të numrit të të plagosurve dhe të vdekurve, numrit të skenave të krimit dhe një “vlerësimi të përgjithshëm” që tregon se i akuzuari synonte “të krijonte frikë serioze në popullatë”.Në kohën e konferencës për shtyp, policia kishte tentuar të merrte në pyetje të dyshuarin, por ende nuk kishte pasur sukses në një gjë të tillë, tha Hatlo.

I dyshuari u dërgua në stacionin policor dhe policia tha për CNN se aktualisht nuk ka të dyshuar të tjerë.Sa i përket akuzave, Hatlo tha se autoritetet do të shohin “çfarë tregon hetimi”.

I dyshuari ishte i armatosur me dy armë gjatë të shtënave, tha policia. 

Ata nuk konfirmuan se çfarë armësh ka përdorur për shkak të hetimeve në pritje.

Në momentin që ka mbërritur policia brenda dhe jashtë lokalit ka pasur të plagosur në tokë. “Skena ishte kaotike, ishte një mbrëmje e ngrohtë dhe shumë njerëz ishin jashtë, kështu që kishte njerëz që vraponin gjithandej”, tha policia për CNN.

Ndër tetë personat e shtruar në spital, tre persona janë në gjendje kritike. 14 viktima të tjera pësuan lëndime të lehta./Shqip.com