Lajme

Sulmi ndaj Top Channel: Autorët ende të lirë, Policia ngushton pistat e hetimit

Kur kanë kaluar 24 orë nga shpërblimi prej 100 mijë eurosh, i vendosur nga Policia e Shtetit për këdo që jepte informacion të vlefshëm për gjetjen e autorëve që sulmuan TCH, policia ka marrë disa të dhëna nga persona të ndryshëm.

Policia vijon të marrë dëshmi, po këqyren kamerat sigurie rreth zonës afër godinës së Top Channel, por edhe kamera të tjera në ambiente të ndryshme.

Por duke ruajtur sekretin hetimor, ende nuk ka të dhëna dhe emra konkretë.

Ndërkohë, pas hetimeve tre ditore, Policia e Tiranës po bën përjashtimin e disa pistave të ngritura duke ngushtuar pistat e hetimit.

Hetimi është kanalizuar në disa drejtime më të ngushta, ndërsa vijon puna për hetimin e gjurmëve të lëna pas nga autorët, si targat dhe makina, ku po shpresohet për identifikimin e autorëve, që mesa duket është ende larg, raporton Topchanel.

Në orët e para të mëngjesit të hënën, Top Channel është goditur nga një sulm, që si pasojë e tij ka humbur jetën edhe roja.

Sipas njoftimit të Top Channel, në orën 00:40, i ndjeri Pal Kola është gjendur në qendër të breshërisë me 25 plumba në drejtim të godinës së Top Channel.

Top Channel u shpreh se ky akt, është kryer për të dëmtuar e goditur misionin e medias së lirë dhe fuqisë së fjalës së lirë.

Top Channel kërkon dhe pret zbardhjen e plotë të ngjarjes nga organet ligjzbatuese.

/Shqip.com