Lajme

Sulmi me dron në Rusi, Moska kërcënon ashpër Ukrainën

Rusia akuzoi të hënën Ukrainën se kishte sulmuar me dronë Moskën dhe Krimenë, ndërsa po sot Ukraina tha se Rusia, kishte ndërmarrë një sulm të ri ajror ndaj qytetit të Odesës.

Ushtria ruse tha se kishte rrëzuar të dy dronët që sulmuan Moskën. Sipas kryetarit të bashkisë së qytetit, Sergei Sobyanin, ishin dëmtuar dy ndërtesa jorezidenciale dhe nuk kishte njoftime për viktima.

Agjencitë ruse të lajmeve thanë se mbetje të një droni ishin gjetur pranë Ministrisë ruse të Mbrojtjes.

Në Krime, guvernatori i vendosur nga Rusia tha se Kievi kishte sulmuar me dronë një depo municionesh, ndërsa shtoi se mbrojtja ajrore kishte arritur të rrëzonte 11 dronë.

Ndërkohë sipas zyrtarëve ukrainas, Rusia kishte shkatërruar një depo gruri duke plagosur të paktën shtatë persona, në sulmin më të fundit ndaj infrastrukturës portuale të qytetit të Odesës. Gjatë sulmit të së hënës me dron, u godit një zonë përgjatë lumit Danub, në pjesën perëndimore të qytetit-port.

Pamje e një ndërtese të dëmtuar pas një sulmi me dron në Moskë, të hënën 24 korrik 2023. Foto: AP

Rusia ka goditur disa herë rajonin e Odesës që pas njoftimit në fillim të javës së kaluar, për t’u tërhequr nga marrëveshja për eksportin e sigurt të grurit ukrainas nëpërmjet Detit të Zi.

Por sot zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov i hodhi poshtë njoftimet se Moska kishte sulmuar infrastrukturën civile në Odesa, përfshirë edhe kishat. Komentet e tij pasuan sulmin e së dielë ndaj qendrës historike të qytetit, pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Gjatë sulmit rus u dëmtua edhe Katedralja historike e qytetit.

Gjatë një fjalimi të dielën në mbrëmje, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy dënoi sulmet ruse ndaj qytetit të Odesës, kryesisht ndaj qendrës historike të tij. Ai tha se Kievi do të hakmerret ndaj këtyre akteve, duke shtuar se Rusia do ta ndjejë patjetër një gjë të tillë.

“Objektivi i gjithë këtyre raketave nuk janë vetëm qytetet, fshatrat apo njerëzit. Objektiv i tyre është njerëzimi dhe themelet e të gjithë kulturës sonë evropiane”, tha zoti Zelenskyy, raporton VOA.

Përfaqësues të klerit njoftuan se kisha historike kishte pësuar dëme të mëdha. UNESCO lëshoi një deklaratë duke e dënuar fuqishëm sulmin, ndërsa shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell, e cilësoi atë “një krim të ri lufte”.

/Shqip.com