Lajme

Sulmet ruse vrasin tre persona në ndërtesat e banimit në Ukrainë

Një ndërtesë banimi duke u djegur si pasojë e një sulmi rus në Krivi Rih, 12 mars 2024.
Një ndërtesë banimi duke u djegur si pasojë e një sulmi rus në Krivi Rih, 12 mars 2024.

Forcat ruse i bombarduan ndërtesat e banimit në qytetet ukrainase Kupiansk dhe Krivi Rih të martën mbrëma, duke i vrarë së paku tre persona.

Paraprakisht, një ndërtesë banimi u godit nga një sulm rus në Kupiansk, në rajonin lindor Harkiv, tha Shërbimi Emergjent Shtetëror i Ukrainës.

Të martën gjatë natës, ushtria ruse i goditi me raketa dy ndërtesa banimi në Krivi Rih, në qendër të Ukrainës, duke i vrarë tre persona dhe duke i plagosur 38 të tjerë.

Dhjetë fëmijë ishin në mesin e të plagosurve.

Ekipet e shpëtimit kërkuan nën rrënoja për të mbijetuar gjatë natës.

Krivi Rih, vendlindja e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, është sulmuar vazhdimisht nga Forcat e Armatosura të Rusisë.

Ushtria ukrainase tha të martën se mbrojtja e saj ajrore i rrëzoi 17 prej 22 dronëve të lëshuar nga ushtria ruse.

Rusia i ka shtuar sulmet ajrore dhe tokësore në Ukrainë këtë vit, pasi Kievi po përballet me mungesë të armëve dhe municionit.

Ukraina u ka kërkuar më shumë mbështetje Shteteve të Bashkuara dhe anëtarëve të NATO-s.

Një paketë prej 60 miliardë dollarësh ndihmë financiare, e cila do ta hapte rrugën për furnizim me armë në Ukrainë, është bllokuar tash e pesë muaj nga republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve, transmeton REL.

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, ka thënë se do të dërgojë në Ukrainë ndihmë ushtarake në vlerë të 300 milionë dollarëve, paketën e parë të ndihmës që disa muaj.

Ato do të përdorën për të blerë municion dhe raketa, tha administrata Biden.

/Shqip.com