Lajme

Sulmet kibernetike në Shqipëri, Borrell zhvillon bisedë telefonike me Ramën

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Josep Borrell ka zhvilluar ditën e sotme një bisedë telefonike me kryeministrin Edi Rama.

Kjo bisedë vjen në kohën kur Shqipëria kohëve të fundit është përballur me sulme kibernetike.

Kjo është bërë e ditur vetë nga Borell përmes një postimi në rrjetin social në Twitter.

“Fola me PM@ediramaal sot për sulmet e fundit kibernetike që kanë goditur Shqipërinë. Këto kërcënime ndaj integritetit dhe sigurisë së Shqipërisë dhe përpjekjet për të minuar institucionet dhe shoqëritë demokratike janë të papranueshme. BE do të qëndrojë në krah të #Shqipërisë në rritjen e mbrojtjes kibernetike”, ka bërë të ditur Borell.

Një javë më parë, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama përmes një video live ka njoftuar se Shqipëria ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Republikën Islamike të Iranit si shkak i sulmeve kibernetike që Irani ka kryer mbi Qeverinë Shqiptare gjatë korrikut.

Shqipëria me 15 korrik ka përjetuar sulmin më të madh kibernetikë në historinë e saj, i cili paralizoi të gjitha faqet qeveritare, përfshirë platformën e shërbimeve online e-Albania, përmes së cilës qytetarët pajisen me shumicën e dokumenteve./Shqip.com