Lajme

Sulmet e Metës ndaj Dumanit/ Reagon ambasada e SHBA: Mbështesim drejtësinë e re, fund pandëshkueshmërisë

Ambasada Amerikane në Tiranë ka reaguar në lidhje me deklaratën e djeshme të KLP ku ka dënuar sulmet ndaj SPAK.

Gjatë reagimit Ambasada Amerikane bën me dije se do të qëndrojë në krah të organeve të reja të drejtësisë dhe kreut të Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumanit i cili ditët e fundit është bërë objekt i sulmeve nga kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

Përshëndesim dënimin nga KLP të sulmeve të drejtpërdrejta dhe të tërthorta kundër SPAK-ut në ditët dhe javët e fundit. Do të vazhdojmë të qëndrojmë në krah të shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë që mbështesin institucionet e reja të drejtësisë dhe rolin kyç që ato luajnë në demokracinë e Shqipërisë. SHBA qëndron në krah të profesionistëve të drejtësisë që respektojnë ligjin dhe do të mbështesë të gjithë ata që kërkojnë t’i japin fund pandëshkueshmërisë”, shkruan ambasada.

Kujtojmë që Meta e ka etiketuar Altin Dumanin si “kushëririn e Nuredin Dumanit”, killerit me pagesë, i cili pranoi të bashkëpunonte me drejtësinë duke treguar vrasjet.

Ditën e djeshme në reagimin për mediat, KLP shprehet se i ka ndjekur e shqetësuar ato deklarata dhe se dënon çdo gjuhë urrejtje, shprehje, veprim fyes dhe intimidues që synon të denigrojë në mënyrë të padrejtë figurën e prokurorëve apo të ushtrojë presion ndaj tyre.

Sipas KLP-së, çdo subjekt i përfshirë në veprimtarinë ligjore të prokurorisë, ka të drejtë të paraqesë çdo pretendim, ankesë apo kundërshtim në Gjykatën kompetente të parashikuar nga ligji për dhënien e drejtësisë.

/Shqip.com