Lajme

Suksesi i marrëveshjes së Ohrit varet nga angazhimi i BE-ShBA, thonë analistët ndërkombëtarë

Marrëveshja e Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë është vlerësuar si një arritje e rëndësishme nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.

Por fakti që ajo nuk është nënshkruar dhe retorika e udhëheqësve të dy vendeve që nuk kanë shfaqur në thelb ndonjë ndryshim qëndrimesh për çështjet më të mprehta, kanë krijuar paqartësi lidhur me ecurinë e mëtejshme.

Për këtë analistët thonë se nëëse duan që marrëveshje të jetë e suksesshme, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara duhet të luajnë një rol qendror.

Por, siç raporton Zëri i Amerikës, ata theksojnë se sfidat vazhdojnë të mbeten.

Lexo edhe:
Chollet kërkon zbatimin e marrëveshjes së Ohrit

Edward P. Joseph, profesor në Universitetin Johns Hopkins në Uashington tha se Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja kanë përgjegjësi shumë të rëndësishme pas kësaj marrëveshjej.

“SHBA dhe BE ndajnë përgjegjësi dhe nuk mund të distancohen nga kjo marrëveshje dhe nuk mund të drejtojnë gishtin vetëm nga Serbia dhe Kosova, të cilat natyrisht kanë përgjegjësi kritike, por Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja kanë përgjegjësi shumë të rëndësishme pas kësaj marrëveshjeje”, thotë ai për Zërin e Amerikës.

Joseph thotë se dështimi do të kishte pasoja të rënda.

“Nëse kjo marrëveshje dështon, do të ishte një dështim i Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian dhe do të ishte një fitore për Rusinë dhe Kinën, nuk di si ta bëj më të qartë se kaq”, thotë ai.

Ndërsa, Dr. Majda Ruge, eksperte e Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë bie dakord se roli i Perëndimit është kritik.

“Prandaj unë mendoj se nëse nuk shohim një ndryshim drastik në nivelin e monitorimit të presionit nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara veçanërisht ndaj Serbisë, nuk mendoj se do të shohim shumë lëvizje përpara”, thotë ajo për Zërin e Amerikës.

Si SHBA edhe BE-ja theksojnë se marrëveshja është shumë rëndësishme për të ardhmen euro-atlantike të të dyja vendeve. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Senatori Chris Murphy tha se Uashingtoni dhe Brukseli do të vazhdojnë ta bëjnë të qartë se do të jetë shumë e vështirë për cilindo vend që t’u bashkohet atyre organizatave, nëse nuk tejkalohen dallimet ndërmjet palëve.

Lexo edhe:
Osmani nga Vjena: Marrëveshja e Ohrit është obliguese për palët

Por ai tha se në fund të fundit vendimi u takon udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë.

“Ne mendojmë se është në interesin më të mirë të Kosovës dhe Beogradit që të zbatohet kjo marrëveshje. Nuk mendoj se është një politikë e mirë për fuqitë ose entitetet e jashtme që t’i detyrojnë vendet të bëjnë diçka që nuk duan ta bëjnë ose mendojnë se nuk është në interesin e tyre më të mirë. Kështu që unë nuk e shoh këtë si një çështje që Shtetet e Bashkuara ofrojnë stimuj dhe pasoja. Kjo thjesht nuk është e dobishme sipas mendimit tim”, tha ai.

Joseph nuk është dakord.

“Ky është gabim i madh. Dhe unë jam vërtet i zhgënjyer kur dëgjoj zyrtarë shumë të mprehtë dhe të aftë si në Evropë ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara të përdorin këtë retorikë standarde, që takon palëve, është në dorën e palëve. Jo, kjo nuk është e vërtetë. Thjesht nuk është e vërtetë. Kjo marrëveshje quhet propozim i BE-së dhe aty ka detyrime për BE-në dhe SHBA e ka nxitur atë. Nuk duhet të ketë një retorikë të tillë”.

Sipas Ruges, varet nga interpretimi nëse marrëveshja mund të konsiderohet sukses.

“Pyetja është se cili skenar duket më realist: a bëhet fjalë për dështim, duke pasur parasysh retorikën e udhëheqësve veçanërisht të Aleksandar Vuçiçit, i cili në thelb ka thënë se kjo marrëveshje nuk është arritur, apo duhet marrë për bazë interpretimi i Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, sipas së cilit tani që është bërë pjesë e kornizës së negociatave (të BE-së), kjo do ta shtyjë në mënyrë të pashmangshme Serbinë të angazhohet në përmbushjen e këtyre dispozitave?”, thotë ajo për Zërin e Amerikës.

Prof. Joseph thotë se Perëndimi duhet gjithashtu që të veprojë me vendosmëri për t’u dhënë fund mëdyshjeve nëse marrëveshja është e detyrueshme ose jo.

“BE-ja duhet ta eliminojë këtë paqartësi dhe mund ta bëjë këtë shumë thjesht, duke e regjistruar këtë marrëveshje në Kombet e Bashkuara”, thotë ai.

Joseph thotë se në këtë mënyrë eliminohen hijet e dyshimit për respektimin e detyrimeve nga të gjitha palët dhe përveç kësaj, do të ishte një sinjal inkurajimi për Kosovën.

“Kjo është shumë e rëndësishme sepse Kosova ka hapin e parë, hapin e madh, një hap vendimtar për të marrë dhe që siç e kam thënë është në fakt i parakohshëm, por është një detyrim dhe ky është formimi i këtij vetëmenaxhimi apo Asociacioni, siç është quajtur me të dyja emërimet. Pra, është shumë e rëndësishme t’i jepet besim dhe një shtysë Kosovës e cila ka obligimet e para”.

Asociacioni është një nga pikat më të nxehta të debatit mes dy vendeve dhe përpjekjeve të perëndimorëve. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq e konsideron atë një përparësi, ndërsa kryeministri i Kosovës Albin Kurti thotë se nuk do të lejojë kurrë krijimin e një entiteti me bazë etnike, apo një autonomi territoriale.

Dr. Ruge thotë se ka një arsye se pse kryeministri Kurti nuk ka ndonjë nxitim që t’i ofrojë Serbisë konstruktin institucional të Asociacionit të Komunave që mund të dëmtojë aftësinë e Kosovës për të funksionuar.

“Sepse ai ndoshta nuk po sheh ndonjë sinjal se kjo do të sjellë ndonjë gjë në këmbim, ndoshta nuk sheh që Kosova do të marrë ndonjë gjë para se të angazhohet për një hap të tillë”.

Një nga synimet kryesore të Kosovës është heqja e pengesave nga Serbia për një njohje më të gjerë, një sinjalizim për njohje de facto edhe pse jo de jure (që Beogradi të paktën publikisht nuk ka dhënë shenja se po e bën) dhe anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.

/Shqip.com