Lajme

“Suhareka u privua nga çdo euro dhe çdo cent i buxhetit të Kosovës”

Qyteti i Suharekës

“Suhareka, komuna nga vij si deputete, u privua nga çdo euro dhe nga çdo cent e buxhetit të Kosovës”.

Kështu deklaroi të premten Albana Bytyqi, deputete nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, pas miratimit të buxhetit për vitin 2022.

Sipas saj, qytetarët e Suharekës dhe të disa komunave tjera, përmes këtij buxheti, “u ndanë dhe u klasifikuan si qytetar të parëndësishëm”.

Mes tjerash, ka thënë së buxheti u miratua me “nguti të habitshme” dhe me “tejkalim të procedurave të rregullores së Kuvendit”.

Albana Bytyqi Archives - Kolosalexpress
Deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi

“Ky buxhet shpërfaq qasjen autoritare dhe të ndarjes së thellë politike që Qeveria Kurti po ia bën qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar Bytyqi në Facebook.

“Edhe më fyese është që edhe ata që janë bërë deputet me votat e qytetarëve të Suharekës, e mbështetën dhe e votuan buxhetin e vitit 2022 dhe me ketë e votuan edhe privimin e komunës tonë nga çdo cent të buxhetit të Kosovës”.

Deputetja e AAK-së ka shtuar se Suhareka është komunë që gjithmonë ka kontribuar dhe e ka dhënë maksimumin për Kosovën në çdo proces të rëndësishëm.

“Suhareka sot e mbush arkën e shtetit përmes bizneseve të suksesshme. Suhareka ka vetëdije kolektive inteligjente dhe do ta ketë në memorie çdo veprim pa të drejtë kundër qytetarëve të saj”, ka vazhduar ajo.

“Qytetarët e Suharekës jo vetëm që nuk do të dorëzohen por do të aktivizohen dhe do të dalin edhe më të fortë”.

“Qeveria Kurti, faleminderit që na rikujtuat sa shumë sakrifica kemi bërë dhe ende do të na duhet të bëjmë!”./SHQIP.com