Lajme

Suhareka pa fond emergjent për fatkeqësitë natyrore, në Malishevë raportohet për dëme nga breshëri

Breshër

Komuna e Suharekës dhe ajo e Malishevës u përfshinë nga reshje të dendura breshëri që shkaktuan dëme në këto komuna.

Breshëri që ra të shtunën, u shkaktoi dëme dy bujqëve në komunën e Malishevës.

Shqipron Shala, drejtor i drejtorisë Mbrojtje dhe shpëtim në këtë komunë, tha për SHQIP.com se deri tani janë pranuar dy ankesa.

“Deri tani vetëm dy persona kanë bërë ankesë. Njëri ka dëmtime në serë ndërsa tjetri në pemishte” – tha ai.

Ndërsa, shtoi se më vonë do të marrin raportin përfundimtar se sa dëme janë shkaktuar.

Komuna e Malishevës.

Anipse raste të raportuara nuk kanë, Komuna e Suharekës ka nisur punën për formimin e një komisioni për vlerësimin e dëmve nga breshëri.

Ardian Kotorri, drejtor i Drejtorisë së Bujqësisë në këtë komunë, tha për SHQIP.com se sot ka marrë një vendim për formimin e komisionit.

“ Sot e kam marr një vendim, do ta formoj një komision prej ekspertëve të drejtorisë së Bujqësisë, ata do të dalin në teren dhe do t’i vlerësojnë dëmet”.

Kotorri i cili kishte dalë në inspektim të gjendjes bashkë me kryetarin e komunës, Bali Muharremaj, thotë se nuk kanë vërejtuar dëme të theksuara.

Komuna e Suharekës

“Flas edhe nga aq sa kam pa, nuk ka pas dëme të theksuara. As fermerët e as bujqit nuk kanë bërë ankesa” – u shpreh ai.

Ai thotë se Suhareka është territor i ndishëm nga fatkeqësitë natyrorë, siç është në këtë rast breshësi.

“ Dëmt janë kryesisht në fushë të hapur por edhe në sera ka shumë dëme. Vetëm vitin e kaluar ka pas dëme jashtëzakonisht shumë”, sqaroi ai.

Duke folur për këtë çështje, Kotorri ngriti një shqetësim rreth Fondit Emergjent.

“Kemi planifikuar çdo vit nga 25 mijë euro për fonde emergjente por të them të drejtën e kanë larguar nga buxheti e kanë vendos në rezervë. Nuk e kanë pranuar si projekt. Kështu që do të shohim planifikimin se si do ta bëjmë për këtë vit”, u shpreh Kotorri.

Ai tha se në mungesë të Fondit Emergjent, do të përdorin alternativa tjera.

“Ka variante të ndryshme për t’i bërë pagesat. Është fondi rezervë, subvencionet.. do të thotë e shqyrtojmë mundësinë për të bërë zgjidhje”, përfundoi Kotorri për SHQIP.com.

Sipas raportit nga Intituti Hidrometorologjik i Kosovës, mot i vranët dhe me shi do të mbajë deri këtë të mërkurë./Shqip.com