Stuhia “Ciaran”, rinis rrebeshi i shiut në Tiranë, përmbyten bizneset
Reshjet e shiut kanë vijuar pothuaj në të gjithë territorin e vendit gjatë natës dhe vijojnë edhe në këto momente duke shkaktuar bllokime në disa akse rrugore në Shkodër, Dibër, Elbasan, Berat e Korçë.
Edhe në Tiranë sot në mesditë kanë nisur reshje të dendura shiu. Ndërsa janë përmbytur bizneset pranë lumit Lana.
Ministria e Mbrojtjes informon se disa segmente rrugore janë bllokuar nga inertet dhe po punohet për lirimin e tyre.
Policia e shtetit ka kaluar në gadishmëri në të gjithë vendin për të menaxhuar situatën ndërsa evidenton si zona me rrezik më të lartë: Tiranën, Lezhën, Fushë Krujën, Durrësin dhe Elbasanin.
Një grup prej 23 turistësh të huaj u evakuuan pa probleme, pasi u bllokuan në hyrje të kanionit të Langaricës për shkak të prurjeve të shumta të lumit.
Prej ditës së djeshme vendi ynë u godit nga stuhia ‘Ciaran’ që tashmë ka goditur pjesën më të madhe të Evropës duke shkaktuar dëme të shumta dhe viktima.
Moti sot
E njëjta situatë me stuhi ere të shoqëruar me rrebeshe shiu dhe shtrëngata pritet të vijojë edhe gjatë ditës së sotme (4 nëntor) sipas njoftimit të dhënë nga Shërbimi Meterologjik Ushtarak (SHMU) për vendin tonë.
“Për fundjavën që presim përpara vendi ynë do të ndikohet nga kushte kryesisht të paqëndrueshme atmosferike si pasojë e periferisë së një stuhie të fortë që ka përfshirë jo vetëm vendin tonë por edhe një pjesë të madhe të europës. Në këtë mënyrë për ditën e shtunë nga orët e para të 24-orëshit deri në orët e mesditës moti parashikohet me vranësira të dendura e reshje shiu të vazhdueshme dhe intensitet të ulët dhe kryesisht mesatar në formën e shtrëngatave”, ka njoftuar dje SHMU.
/Shqip.com