Teknologji Shkencë

Studimi i ri zbulon detaje të reja nga brendësia e Tokës

Photo taken in Chon Buri, Thailand

Derisa për shumëkë brendësia e planetit tonë është mister, një studim i fundit i publikuar ka zbuluar se nga brendësia e tokës po rrjedh ujë.

Lëngu po pikon duke zbritur nëpër pllakat tektonike, përpara se të arrijë përfundimisht në bërthamë, pas një udhëtimi prej 2,900 kilometrash.

Dhe ndërsa procesi është i ngadalshëm, ai ka formuar mbi miliarda vjet një sipërfaqe të re midis metalit të shkrirë të bërthamës së jashtme dhe mantelit të jashtëm të Tokës.

Sipas studimit të publikuar nga shkencëtarët e Universitetit Shtetëror të Arizonës, uji po shkakton një reaksion kimik, duke krijuar shtresën e re, e cila është “Disa qindra kilometra e trasha”.

“Për vite me radhë, është besuar se shkëmbimi material ndërmjet bërthamës së Tokës dhe mantelit është i vogël. Megjithatë, eksperimentet tona të fundit me presion të lartë zbulojnë një histori tjetër. Kemi zbuluar se kur uji arrin në kufirin bërthamë-mantel, ai reagon me silikon në bërthamë, duke formuar silicë”, shkroi bashkëautori Dr. Dan Shim.

“Ky zbulim, së bashku me vëzhgimin tonë të mëparshëm të diamanteve që formohen nga uji që reagojnë me karbonin në lëngun e hekurit nën presion ekstrem, tregon për një ndërveprim shumë më dinamik bërthama-manteli, duke sugjeruar shkëmbim të konsiderueshëm material”.

Çfarë do të thotë për të gjithë ata që jetojnë në sipërfaqe të Tokës?

Në njoftimin e ASU thuhet se ky zbulim përparon të kuptuarit tonë për proceset e brendshme të Tokës, duke sugjeruar një cikël më të gjerë global të ujit nga sa ishte njohur më parë.

/Shqip.com